Aplikacion
Seanca parlamentare është shoqëruar me tone të ashpra dhe akuza të forta nga opozita. Deputet i PL Tedi Blushi, në fjalën e tij i ka kërkuar mazhorancës të tërheqë nga rendi i ditës disa projektligje, të cilat i cilësoi si akte që mbrojnë “interesat mafioze të Edi Ramës”.
Në mënyrë të drejtpërdrejtë, ai kërkoi heqjen e projektligjit për lobimet, duke e lidhur atë me rastin e ish-zyrtarit të lartë të FBI-së, Charles McGonigal. Gjithashtu, e quajti “projektligj mafioz” nismën për ndërhyrje në sistemin gjyqësor dhe kërkoi tërheqjen e ndryshimeve në Kodin Penal.
Fokusi i fjalës së tij më pas u zhvendos te përgjegjësia e Ministrisë së Brendshme në lidhje me arrestimet e protestuesve. Deputeti deklaroi se në burgje po mbahen “protestues paqësorë” dhe i bëri thirrje ministres së Brendshme të japë llogari për këto veprime.
“Sot ministrja e Brendshme duhet të jepte llogari. Si ka mundësi që keni arrestuar një minoren? Si ka mundësi që gjakosët qytetarë të pafajshëm, protestues paqësorë?”, pyeti ai nga foltorja, duke theksuar se kjo duhet të ishte çështja kryesore e ditës.
Sipas deputetit Blushi, arrestimi i qytetarëve që protestojnë për “hajdutëritë” e qeverisë është i papranueshëm. Ai sfidoi drejtpërdrejt ministren të japë sqarime publike për arsyet e arrestimit të qytetarëve të pafajshëm dhe veçanërisht të një të mituri.
Në mbyllje të fjalës së tij, ai deklaroi se në burg duhet të ishin zyrtarë të lartë si Edi Rama, Belinda Balluku dhe Ergys Agasi, dhe jo qytetarët që protestojnë për “bukën e gojës”. Ai e përfundoi duke kritikuar atë që e quajti “paradë të turpshme me makina luksoze” në oborrin e parlamentit, si një kontrast me realitetin e qytetarëve.
Tedi Blushi: Dua t’ju kujtoj zoti kryetar se funksioni themelor i një parlamenti është t’i miratojë ligje për qytetarët. Ndaj dua të jemi i drejtpërdrejtë me kërkesën time, hiqni dorë dhe tërhiqni nga rendi i ditës projektligje që nuk shërbejnë asgjë tjetër veçse të mbrojnë interesat mafioze të Edi Ramës. Hiqni nga rendi i ditës projektligjin e lobimeve, që nuk ka asnjë lidhje me interesin publik.
Është projektligji i Charles McGonigal-it. Hiqni projektligjin për të futur duart, projektligj mafioz, në sistemin gjyqësor. Hiqni ndryshimet nga Kodi Penal.
Dhe meqë jemi te Kodi Penal. Unë prisja sot që ministrja e Brendshme të ngrinte kokën, të dilte aty në foltore dhe të jepte llogari.
Sot, jo molotovi. Sepse molotovin po e sillni ju edhe në këtë sallë. Por dua t’ju kujtoj, sot në burgjet tuaja janë protestues paqësorë.
Sot ministrja e Brendshme duhet të jepte llogari, si ka mundësi që keni arrestuar një minoren? Si ka mundësi që gjakosët qytetarë të pafajshëm, protestues paqësorë?
Kjo sot duhet të jetë çështja kryesore e rendit të ditës. Përpjekja juaj për të zhvilluar gjoja një seancë normale edhe dashamirësia juaj për gjoja për t’u tërhequr nga disa projektligje nuk ka më vend.
Interesi publik duhet të jetë e vetmja çështje kryesore që duhet diskutuar në këtë sallë. Ndaj ke guximin ministre, ngrije kokën, dil aty edhe jep sqarime.
Përse ke arrestuar dhe po mban sot nëpër burgje qytetarë të pafajshëm, që nuk kanë kryer asnjë krim. Në qoftë se është krim të protestosh për hajdutëritë tuaja.
Në qoftë se trembeni dhe nga një 10 vjeçar, ky nuk është faji jonë. Dhe nuk është faji i atyre qytetarëve sot. Sot në burg duhet të ishte Edi Rama, Belinda Balluku, Ergys Agasi dhe jo njerëz që protestojnë për bukën e gojës.