zoom

In Zoom

INVESTIGIMI/ Dosja e plotë për inceneratorët e Elbasanit dhe Fierit

Një komision i posaçëm parlamentar po heton një prej çështjeve më të përfolura të viteve të fundit për korrupsion: dhënia me koncesion e inceneratorëve në Elbasan, Fier e Tiranë.

Opozita e ka denoncuar këtë si një aferë të madhe korruptive, duke paraqitur fakte e prova. Ajo i është drejtuar edhe Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) me një kallëzim, 1 vit më parë.

Në dosjen e kallëzimit janë emra politikanësh, ministrash, kryebashkiakësh, ish –ministrash, e biznesmenësh.

Ata nisin me kryeministrin Edi Rama, me zëvendësministrin Arben Ahmetaj, ish -ministrin e Mjedisit Lefter Koka, kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj, sekretarin e përgjithshëm të kryeministrisë Ëngjëll Agaçin, ish-sekretarin e përgjithshëm të ministrisë së Mjedisit Alqi Bllako dhe biznesmenët Klodian Zoto e Mirel (Klodian Mërtiri), që PD thotë se qëndrojnë të gjithë pas inceneratorëve.

Komisioni Hetimor Parlamentar i ka të gjithë elementët që t’i bashkojë të gjitha fijet e kësaj çështje, për të zbërthyer tashmë edhe politikisht mekanizmin se si nëpërmjet koncesioneve të inceneratorëve shqiptarëve do t’u merren mbi 430 milionë euro në pak vjet.

SI NISI DHËNIA E KONCESIONEVE

INCENERATORI I ELBASANIT

Në datën 10 korrik 2014 themelohet kompania “Albtek Energy” me aksionere të vetme Stela Gugallja dhe me një kapital 100 mijë lekësh. Stela Gugallja është bashkëjetuese e Mirel (Klodian) Mërtirit, me të cilin ka dy fëmijë.

Në 16 dhjetor 2014 qeveria i jep kësaj kompanie të drejtën për të ndërtuar inceneratorin e Elbasanit, kompania kishte bërë një ofertë të pakërkuar tek qeveria dhe kjo e fundit nuk kishte hapur garë.

Ministria përgjegjëse, ajo e Mjedisit, e drjetuar në atë kohë nga Lefter Koka, nuk kreu asnjë publikim/njoftim mbi garën, sikundër legjislacioni në fuqi e kërkon (Neni 24, i ligjit nr. 125/2013, “Për koncesionet dhe PPP” dhe neni 26i VKM nr. 575, datë 10.07.2013 “Për miratimin e rregullave për vlerësimin dhe dhënien me koncesion/PPP, si dhe dispozitat e ligjit për prokurimin publik lidhur me njoftimet). Qeveria nuk bëri asnjë shpallje publike procedurash dhe nuk ka bërë publike, siç ligji e kërkon, mbi cilat kritere ligjore, financiare dhe teknike vlerësoi, kualifikoi dhe lidhi kontratën me firmën fituese.

  • Në datën 16 dhjetor u përshpejtuan 9 procedura brenda ditës, të cilat Zoom.al i ka siguruar përmes kanaleve zyrtare dhe që janë si më poshtë.
  • Me 16 Dhjetor 2014, kompania “Albtek Energy” u shpall fituese
  • Afatet ligjore te ankimit janë 7 ditë.
  • Pavarësisht kësaj, data e shqyrtimit të ankesave mbyllet në të njëjtën ditë, në 16 dhjetor. Dyshimet janë se autoriteti kontraktor e dinte që nuk do të kishte ankesa, sepse asnjë operator nuk do të kishte përse të ankohej, përderisa kjo procedurë u zhvillua fshehtas dhe askush nuk ishte në dijeni, përveç firmës “Albtek Energy”.
  • Drafti dërgohet për mendim në ministritë e tjera brenda datës 16 dhjetor.
  • Përgjigja nga ministritë e tjera vjen po brenda datës 16 dhjetor.
  • Hartohet po në datën 16 dhjetor një kontratë me 40 faqe.
  • Negociohet kontrata mes palëve brenda datës 16 dhjetor.
  • Firmoset kontrata mes ministrisë së Mjedisit dhe kompanisë fituese brenda datës 16 dhjetor.
  • Miratohet financimi i kontratës  së lidhur me kompaninë “Albtek Energy”, në mbledhjen e qeverisë në 17 dhjetor 2014, pra te nesërmen.

Një procedurë kaq e shpejtë nuk është ndeshur kurrë më parë. Vetëm pyetjet se përse gjithë ky nxitim, si arritën të gjitha ministritë ta shqyrtonin në kohë rekord materialin e të vendosnin pa asnjë objeksion ose pa pasur edhe kohën për të marrë informacionet e neojshme, do të mjaftonin për të ngritur një lumë dyshimesh se kjo çështje mban erë. 

Asnjë nga ministritë nuk pati kohën të verifikojë kriterin më elementar, a ishte “Albtek Energy” e aftë për të marrë përsipër një punë të tillë, a i kishte ajo kapacitetet apo eksperiencën për një proces kaq kompleks sa ndërtimi i një inceneratori.

Dokumentat e mëvonshme treguan se kompania s’kishte asgjë gati, edhe pse kishte fituar 21.6 milionë euro kontratë koncesionare me shtetin shqiptar.

Afro 6 muaj pasi kishte fituar koncesionin, më 18 qershor 2015 kompania nënshkruan një kontratë me kompaninë “Energy Recuperator”, në pronësi të shtetasit italian Ernesto Granelli, me parimin “Furnizim me çelësa në dorë” në lidhje me projektin 15 milionë euro të inceneratorit të Bradasheshit.

Kjo kontratë është prova se kompania “Albtek Energy” që kishte fituar tenderin nuk kishte asnjë nga mjetet në dispozicion. Kompania nuk ka pasur aspak përvojë dhe aftësi në fushën e incenerimit, çka shton dyshimet se si ajo pati idenë për të kërkuar një ofertë të pakërkuar për të ndërtuar një impiant në një sektor për të cilin ajo s’kishte asnjë njohuri. Në kohën kur u bë oferta, çështja e përpunimit të mbetjeve nuk u ngrit asnjëherë si emergjëncë nga qeveria.

Sado fantastik të kishte qënë vizioni i saj për trajtimin e mbetjeve, asnjë qeveri në botë nuk do të kishte mundur ta zyrtarizonte me kaq shpejtësi atë, duke mos vënë në diskutim asgjë, as çmimet, as kushtet dhe duke mos hapur një debat publik për këtë çështje me impakt mjedisor e social.

Deri tani “Albtek Energy” ka marë nga buxheti i shtetit, sipas të dhënave nga thesari, 2.988.539.929 lekë.

Nxitimi në kryerjen e procedurave thembra e Akilit. Por zbatimi i kontratës ka edhe shkelje të tjera ligjore. 

Kompania e ka nënshkruar kontratën në datë 17 dhjetor dhe sipas saj ajo duhet të prodhonte edhe energji.   

“Vënia në punë e inceneratorit” është fillimi i përpunimit të mbetjeve urbane, si dhe të prodhimit të energjisë elektrike pas testimit, sipas kësaj kontrate”, thuhet në një pikë të saj.

Por sot inceneratori nuk prodhon energji elektrike. Fakti që nuk ka nisur ende të prodhojë dhe se ka probleme në lidhje me ERE në raport me energjinë e bën ende të pazbatueshëm këtë pikë të kontratës.

Do të mjaftonin këto fakte për të kuptuar se çfarë ndodhi, ndërkohë që Komisioni Hetimor dhe SPAK do të duhet të provojnë, secili në hetime të pavarura, se cila është përgjegjësia ligjore e zyrtaëve që hodhën firmat dhe kush përfitoi prej kësaj kontrate.

Inceneratori i Elbasanit nuk është i vetmi.

Edhe për impiantin e Fierit, opozita, në kallëzimin e saj penal, ka renditur një sërë shkeljesh.

INCENERATORI I FIERIT

Shpallja e garës për koncesionin e inceneratorit të Fierit ishte 13 korriku 2016. Ndërsa ofertat u pranuan më 5 shtator 2016. Fituese e këtij koncesioni/PPP ishte bashkimi i kompanive “Integrated Technology Service” dhe “Energy 2 srl”.

Pas kompanisë ITS qendron Klodian Zoto. Kompania ITS ka adresë të njëjtën godinë me kompaninë “Albtek Energy” që fitoi koncesionin e inceneratorit të Elbasanit. Pas kompanisë “Energy 2 srl” qëndron Ernesto Granelli, edhe ai përfituesi i kontratës për inceneratorin e Elbasanit. Më 26 shtator 2016 u nënshkrua kontrata mes bashkimit të operatorëve dhe shtetit për koncesinin 28 milionë euro të inceneratorit të Fierit.

Në 3 tetor 2016 themelohet kompania “Integrated Technology Waste Treatment Fier” shpk. 80% të aksioneve të saj i kishte “Integrated Technology Service” dhe 20% zotëroheshin nga “Energy 2”.

Në 31 tetor 016, një muaj e 5 ditë pas firmosjes së kësaj kontrate koncesionare prej 28 milionë euro, kompania italiane në pronësi të “Integrated Technology Waste Treatment Fier” do t’i shiste të gjitha aksionet e saj për çmimin e 20 mijë lekëve tek shoqëria “Ndërtim Montim Patos”. Gjithashtu edhe “ITS” në pronësi të Klodian Zotos do t’i shiste 10% të aksioneve për 10 mijë lekë kësaj kompanie pas kësaj kontrate.

Çmimi i aksioneve ngre dyshime të forta. Si mundet që 10 përqind të aksioneve të një kompanie që kishte fituar një koncesion 28 milionë euro të shiteshin më pak se 100 euro?

Kontrata, sipas dosjes së denoncimit SPAK ka prej 1 viti në tavolinë, ka disa shkelje. Ajo nuk ka asnjë specifikim se ku do të ndërtohet inceneratori. Qeveria as që interesohet se çfarë teknologjie do të përdorë koncesionari.

Sipas kontratës, qeveria e ka dhënë këtë koncesion për fshatin Portës, pasi qeveria argumenton se “Ai është me reliev të rrafshët me diferencë të vogël kuotash. Lartësia e vendit është variabël nga 55m në 75m mbi nivelin e detit. Kordinatat gjeografike janë: 40°41’55” Veri 19°34’09’’ Lindje.”

Mirëpo, ngaqë banorët u ngritën në protestë, atëherë qeveria i zhvendosi koordinatat. Por teksa qeveria s’kishte gjetur ende vendin dhe ndryshonte koordinatat, ajo i kishte paguar kompanisë që fitoi koncesionin plot 13 milionë euro, megjithëese ajo nuk kishte hedhur ende themelet e impiantit.

Kompania “ITWTF” përfitoi 2.800.919.300 lekë nga paratë publike për një incenerator të pandërtuar ende.

Koompania ka qenë e zotuar që ta përfundojë këtë incenerator në shtator 2019. Në nenin 16 pika 2 e kontratës shkruhet se “Koncensionari merr përsipër të realizojë ndërtimin e impjantit brenda 24 muajve nga data e fillimit të punimeve.”.

Në dosjen e dorëzuar në SPAK, të parë nga Zoom.al, thuhet se “Kompania Integrated Technology Service”, në pronësi të Klodian Zotos, rezulton një kompani që ka kryer shitje fiktive për të ulur të ardhurat e saj. Këto shitje fiktive vijnë për shkak se, ndonëse qeveria ka disbursuar paratë e shqiptarëve në xhepat e kompanisë, kjo e fundit nuk ka kryer asnjë shpenzim për kontratën. Sipas të dhënave të Drejtorisë së Tatimeve, rezulton se kjo kompani ka fshehur rreth 6 milionë euro taksa duke krijuar shpenzime fiktive.

Opozita thotë se pas Klodian Zotos fshihen Mirel (Klodian) Mërtiri, Arben Ahmetaj, Edi Rama dhe Lefter Koka. Sipas saj, qeveria ka shkelur në të dyja koncesionet e mësipërme 5 ligje dhe 2 VKM në gjithë vendim-marrjet e saj.

Ajo këmbëngul se edhe projekti i inceneratorit të Tiranës është po ashtu korruptiv, duke nisur që nga procedurat, duke vazhduar me kontratën e duke përfunduar me zbatimin e kontratës.

“Kostot për buxhetin e shtetit ashtu siç janë të llogaritura në denoncimin që ne çuam sot në SPAK janë mbi 430 milionë euro vetëm për inceneratorin e Tiranës sepse ne sot këtu denoncuam inceneratorin e Tiranës. Kjo është një histori mafioze, që kanë detyruar Bashkinë e Tiranës, Durrësit, do të detyrojnë Kavajën, Rrogozhinën të gjithë Qarkun Tiranë edhe më gjerë për të depozituar mbetjet e tyre në një biznes i cili që kur u konceptua nga një kompani pa eksperiencë, nga një kompani e papërshtatshme për ta bërë këtë proces ishte i tillë”, do të shprehej deputetja e PD, Jorida Tabaku pas dorëzimit të dosjes në SPAK.

Qeveria duket mjaft sensitive ndaj kësaj çështje. Kryeministri Rama i ka mbrojtur disa herë me mjaft vendosmëri koncesionet, ndërsa investigime të ndryshme të mediave e gazetarëve kanë sjellë prova e dyshime se pas këtyre projekteve fshihet një nga aferat më të mëdha korruptive në Shqipëri. /Zoom.al