zoom

Aktualitet

Ilir Meta kallëzon në SPAK Drejtorin e Burgjeve

Ilir Meta kallëzon në SPAK Drejtorin e Burgjeve

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta, ka depozituar një kallëzim penal pranë Strukturës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ndaj Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, duke e akuzuar për veprën penale të “shpërdorimit të detyrës”.

Sipas kallëzimit, Meta pretendon se gjatë më shumë se 14 muajve që ndodhet në paraburgimin “Jordan Misja”, ku është mbajtur që prej 23 tetorit 2024 me masë sigurimi “arrest në burg”, i janë mohuar në mënyrë të qëllimshme dhe të përsëritur të drejta themelore dhe politike.

Ai pohon se autoritetet penitenciare i kanë ndaluar komunikimin me median dhe gazetarët, takimet me deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, eurodeputetë dhe drejtues të Partisë së Lirisë, si edhe ushtrimin e veprimtarive politike dhe publike.

Në kallëzim theksohet se këto kufizime nuk janë mbështetur në vendime individuale të arsyetuara dhe nuk lidhen me ndonjë rrezik konkret për procesin penal, duke marrë, sipas tij, karakter ndëshkues dhe diskriminues.

Një element i rëndësishëm i kallëzimit është edhe qëndrimi i Avokatit të Popullit, i cili pas një hetimi administrativ ka konstatuar raste diskriminimi, persekutimi politik dhe shkelje të lirive personale e politike, duke i rekomanduar Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve marrjen e masave korrigjuese. Meta thekson se këto rekomandime nuk janë zbatuar.

Sipas tij, veprimet dhe mosveprimet e Drejtorisë së Burgjeve bien në kundërshtim me Kushtetutën, ligjin për ekzekutimin e vendimeve penale dhe Konventën Evropiane të të Drejtave të Njeriut, duke iu referuar edhe praktikës së Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut për raste të ngjashme që përfshijnë liderë opozitarë në paraburgim./Zoom.al

Postime të lidhura