zoom

Aktualitet

Zbardhet dëshmia e Metës në SPAK për 21 Janarin, zbulon kërkesën e shërbimeve amerikane

Zbardhet dëshmia e Metës në SPAK për 21 Janarin, zbulon kërkesën e shërbimeve amerikane

Ish-Presidenti i Republikës, Ilir Meta, ka dhënë dëshmi në SPAK në kuadër të hetimeve për ngjarjen e 21 Janarit. Ai është marrë në pyetje nga hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit, të caktuar nga prokurori i çështjes, Alfred Shehu.

Meta ka deklaruar se para protestës ishte vënë në dijeni nga shërbime të huaja se tubimi do të kishte karakter të dhunshëm dhe se ekzistonte rreziku që ngjarja të përfundonte me humbje jete. Sipas tij, këto informacione ishin përcjellë edhe institucioneve shqiptare të sigurisë, përfshirë shërbimin sekret dhe Presidencën.

Meta ka pohuar se dorëheqja e tij në atë periudhë lidhej pikërisht me këto paralajmërime, duke theksuar se vendimi ishte marrë me synimin për të ulur tensionet dhe për të shmangur përplasjet e mundshme. Ai ka shtuar se skenari i dhunës ishte i njohur paraprakisht nga disa struktura dhe se veprimet e tij kishin për qëllim stabilizimin e situatës.

“Shërbimet amerikane më informuan se protesta do të ishte e dhunshme dhe do mbyllej me vrasje. Unë kam dhënë dorëheqjen se më është kërkuar nga ata sepse e dinin qe do ketë skenar dhune dhe për të zbutur përplasjet dhashë dorëheqjen. Këto informacione i janë dhënë shërbimit tonë sekret edhe presidencës”, mësohet të ketë deklaruar Meta./ Zoom.al

Postime të lidhura