Aplikacion
Politologu Ilir Kalemaj ka shpërthyer në kritika ndaj kryeministrit Edi Rama, duke e akuzuar se edhe në këtë fushatë elektorale po i shmanget një programi konkret dhe një bilanci real të qeverisjes së tij.
Në një intervistë për MCN, Kalemaj deklaroi se Rama nuk po ofron asgjë të re për mandatin e ardhshëm, por po përdor retorikë të huazuar nga Partia Demokratike. “Po merr disa nga tezat e PD-së dhe po i shet si të tijat”, tha Kalemaj.
Në fokus të kritikës ishte edhe “karta e integrimit europian”, që sipas Kalemajt, po përdoret si një mjet elektoral pa lidhje me realitetin. “Edi Rama duhet të japë llogari se çfarë do të bëjë në 2025-2029, jo të shesë ëndrra për 2030-ën. Askush nuk e di çfarë do të ndodhë në atë kohë, as gjeopolitika nuk është e parashikueshme”, shtoi ai.
Kalemaj kujtoi se disa nga momentet kyçe të rrugëtimit europian të Shqipërisë nuk i përkasin qeverisë aktuale: “Liberalizimi i vizave, statusi i kandidatit dhe anëtarësimi në NATO u arritën gjatë qeverisjes së PD-së. Qeveria aktuale ka vetëm çeljen e negociatave.”
Ai theksoi se përdorimi i integrimit europian si kartë politike mund të funksionojë në vende si Serbia, ku ka ndarje ideologjike mes pro-Perëndimorëve dhe atyre me prirje Euroaziatike, por jo në Shqipëri.