zoom

Aktualitet

“Arratisuni sa jeni në kohë”/ Provokon Arjan Curri: Kush ka ikur të mos kthehet. Ky është një sistem idiotesk 

“Arratisuni sa jeni në kohë”/ Provokon Arjan Curri: Kush ka ikur të mos kthehet. Ky është një sistem idiotesk 

Analisti Arjan Curri ka kritikuar ashpër funksionimin e sistemit të drejtësisë në vend, duke e cilësuar atë problematik dhe të bazuar më shumë në perceptim sesa në prova konkrete.

I ftuar në emisionin Top Story, ai u ndal veçanërisht te standardi i paraburgimit, për të cilin tha se është kthyer në një çështje të pazgjidhur dhe të deformuar nga praktikat e gjykatave.

“Të gjithë janë në një valle hipokrizie të tmerrshme sepse askush nuk do që ta vendosë këtë padrejtësi të madhe siç është standardi i paraburgimit në vend, madje më shumë duan ta bëjnë më lëmsh se ç’e kanë bërë deri tani. Edhe vendimi i vitit 2011 i mirë është, por gjykatat e ulëta nuk e zbatuan, ose e zbatuan kur u interesonte, nëse i paraburgosuri kishte fakte në një valixhe me letra ‘me vlerë’. Kështu që tani thjesht është rritur pazari.”

Sipas Currit, mungon vullneti politik dhe institucional për të sqaruar qartë në ligj rastet kur një person duhet të mbahet në paraburgim dhe kur jo.

“Askush nga këta nuk do ta bëjë. Nëse do të donte ta bënte Rama, ndryshonte ligjin procedural penal dhe vendoste në ligj ekzaktësisht se në cilat raste njeriu mbahet në burg dhe në cilat raste jo. Gjykatat e ulëta nuk e duan këtë vendim sepse thonë: ‘Ç’na duhet ne, populli këta i do në burg.’ Kanë atë idenë: shko më lart, gjeje më lart drejtësinë, mundësisht deri në Strasburg. Gjykata e Lartë ka rrëzuar çdo kërkesë për paraburgim, pra i ka lënë në burg, as Apeli nuk do ta bëjë.”

Ai solli në vëmendje edhe rastin e Ilir Meta, duke kritikuar arsyetimin e përdorur për lënien e tij në burg.

“Kishte sot seancën për Ilir Metën dhe e la në burg me një deklaratë të tmerrshme duke thënë se ekziston perceptimi edhe për një vëzhgues të jashtëm që Meta mund t’i ketë kryer këto vepra penale.”

Sipas Currit, një formulim i tillë është i papranueshëm për një sistem drejtësie.

“Kur lexoj këtë fjali nga Gjykata Kushtetuese them, siç kam thënë edhe më herët: Ikni! Kush është arratisur të mos kthehet, kush nuk ka ikur ende të ikë sa është akoma në kohë, sepse ky është një sistem jashtëzakonisht idiotesk, që fillon nga gjykatat e ulëta deri te Gjykata Kushtetuese. Vë duart në kokë me këtë që lexon. Në këtë vend gjykohesh me perceptim, me opinion.”