zoom

Aktualitet

I vendosin eksploziv në mjet, 57-vjeçari i shpëton atentatit! Si e pikasi, do shpërthehej me telekomandë

I vendosin eksploziv në mjet, 57-vjeçari i shpëton atentatit! Si e pikasi, do shpërthehej me telekomandë

Një atentat me eksploziv ndaj një automjeti është parandaluar mbrëmjen e djeshme në fshatin Vrinë të Bashkisë Konispol. Sipas policisë, lënda shpërthyese ishte vendosur në mjet dhe dyshohet se do të aktivizohej me telekomandë.

Rreth orëve të mbrëmjes, shtetasi Mirash Gjikola, 57 vjeç, ka njoftuar Komisariatin e Policisë Sarandë se, teksa po lëvizte me automjetin e tij në vendin e quajtur “Kthesa e Vrinës”, në aksin Shëndëlli–Vrinë, ka dëgjuar një zhurmë të pazakontë nga mjeti. Pasi ka ndaluar, ai ka konstatuar një sasi lënde të dyshuar eksplozive brenda automjetit.

Menjëherë në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta policie, si dhe ekspertë të krimeve të rënda nga Drejtoria Vendore e Policisë Vlorë dhe reparti antieksploziv i RENEA-s. Nga verifikimet paraprake, në automjetin tip “Nissan”, me targa AA 725 LG, është gjetur një sasi lënde eksplozive e vendosur në sediljen e pasme të mjetit.

Zona është rrethuar për arsye sigurie, ndërsa ekspertët po punojnë për çaktivizimin e lëndës shpërthyese. Paralelisht, policia ka nisur hetimet për zbardhjen e rrethanave dhe identifikimin e autorëve.

Sipas burimeve zyrtare, 57-vjeçari Mirash Gjikola rezulton person me precedentë penalë, i dënuar më parë.

Postime të lidhura