Aplikacion
Një sasi e konsiderueshme produktesh ushqimore jashtë afatit të përdorimit është bllokuar nga Dogana e Durrësit gjatë një kontrolli të ushtruar në ambientet e një subjekti tregtar.
Sipas njoftimit zyrtar, gjatë verifikimeve fizike u konstatuan 2.500 kilogramë miell orizi me datë skadence 1 prill 2025, si dhe 5.150 kilogramë miell për pica me afat përdorimi të përfunduar më 7 prill 2025. Në total, autoritetet doganore bllokuan 7.650 kilogramë miell që rezultonte i skaduar prej muajsh.
Referuar njoftimit, malli do të asgjësohet në përputhje me standardet e sigurisë ushqimore.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave theksoi se kontrollet do të vijojnë për të parandaluar hedhjen në treg të produkteve që cenojnë shëndetin e konsumatorëve. Institucioni u bëri thirrje operatorëve ekonomikë të respektojnë rregullat dhe detyrimet ligjore që lidhen me importin, magazinimin dhe përpunimin e produkteve ushqimore./ Zoom.al