Aplikacion
Hygerta Sako ka folur për eksperiencën e saj në Big Brother VIP Kosova, ku arriti deri në finale dhe u rendit e pesta. Gjatë një interviste, ajo adresoi për herë të parë edhe akuzat që qarkulluan në rrjetet sociale pas shpalljes së saj si finaliste.
Pas përfundimit të spektaklit, një pjesë e komentuesve pretenduan se produksioni apo autorja e formatit, Olsa Muhameti, e kishin favorizuar atë dhe se votat ishin manipuluar në përballjen me Benita. Sako i hodhi poshtë këto pretendime, duke theksuar se nuk kishte pasur asnjë lidhje apo njohje të mëparshme me Muhametin.
“Pse produksioni duhet të më favorizonte mua?! Unë Olsa Muhametin nuk e kisha takuar kurrë më parë edhe këtë e them botërisht dhe publikisht. E kam takuar për herë të parë kur më ka kontaktuar për Big Brother-in, për pjesëmarrjen.
E kam takuar dy herë gjithsej, pjesën tjetër e kam kontaktuar në telefon. Mund të them [se ka pasur] një korrektësi absolute dhe pastaj gjatë gjithë kohës ka ardhur [në shtëpinë e Big Brother] dhe kam diskutuar vetëm dy herë në dy momente që unë i kam pasur të vështira që doja të dilja. [Kemi komunikuar] nga Dhoma e Rrëfimit për të diskutuar që pse ky lloj vendimi dhe për ta menduar edhe një herë,” u shpreh ajo.
Më tej, Sako sqaroi se komunikimi që kishte pasur me Muhametin në Dhomën e Rrëfimit ishte diçka normale për një banor që kalon momente të vështira gjatë qëndrimit në shtëpi dhe nuk lidhet me ndonjë favorizim.
“Asnjë personazh apo banor që e ndan rrugëtimin ose e mbyll me dëshirën e vet nuk është mirë. Nuk është mirë as për të se mund të pendohet kur të dalë, nuk është mirë as për produksionin. Kështu që, patjetër që dihet që të japin 24 orë kohë të mendohesh, të kthjellohesh, t’i rimendosh edhe një herë gjërat. Dy herë kam diskutuar vetëm për këtë çështje dhe asnjë lloj kontakti. Madje shpeshherë kërkoja Dhomën e Rrëfimit po shumë punë… kam mbetur dhe 24 orë apo 48 orë që s’më thërrisnin në Dhomën e Rrëfimit.”
Ajo reagoi edhe ndaj teorive që qarkulluan në rrjet, sipas të cilave banorët kishin pasur telefon dhe ishin informuar për zhvillimet jashtë shtëpisë. Sako i mohoi kategorikisht këto pretendime.
“Të kisha telefon, unë do kisha fluturuar atje dhe s’kisha nevojë as për t’u ndier keq, as për të vendosur për të dalë sepse nuk duroja, sepse të kesh telefonin do të thotë që merr vesh si është vajza, si është mami, si janë gjërat, po ecën mirë, po ecën keq, çfarë duhet të rregullosh. Kështu që, besoj që e keni parë që unë kam qenë konstante gjatë gjithë kohës në karakterin tim, nuk është se kam bërë ndonjë ndryshim drastik.”