zoom

Aktualitet

I përfshirë në vrasjen e Bledar Muçës, Sergej Hasanpapaj ekstradohet nga Belgjika

I përfshirë në vrasjen e Bledar Muçës, Sergej Hasanpapaj ekstradohet nga Belgjika

Një tjetër i dyshuar për vrasjen e Bledar Muçës është sjellë në Shqipëri. Sergej Hasanpapaj është ekstraduar nga Belgjika, ku ishte arrestuar në zbatim të një urdhër-arresti ndërkombëtar të lëshuar nga SPAK për ngjarjen e ndodhur në vitin 2022.

Në lidhje me të njëjtën çështje, në tetor 2024 u arrestua në aeroportin e Valencias edhe një 43-vjeçar. Sipas mediave spanjolle, ai ishte dënuar me burgim të përjetshëm për dhënie informacioni në funksion të krimit. Mediat belge raportuan se bëhet fjalë për shqiptarin Marsel D., i shpallur në kërkim për një vrasje të ndodhur më 22 janar 2022 në Aartselaar të Belgjikës.

Bledar Muça rezulton i përfshirë në sagën e përplasjeve kriminale në Elbasan dhe njihej si mik i familjes Çapja.

Ndërkohë, në kuadër të hetimeve për një organizatë kriminale me shtrirje ndërkombëtare, SPAK ka zhvilluar një operacion të gjerë, ku janë ushtruar kontrolle në biznese që lidhen me të shumëkërkuarin Suel Çela, si dhe janë kontrolluar banesat e dy ish-gjyqtarëve, Zihni Shahu dhe Taulant Tafa. Sipas hetimeve, pjesë e grupit dyshohet të jetë edhe zyrtari i policisë Dedan Gjoni.

SPAK njoftoi se, me kërkesë të saj, Gjykata e Posaçme ka caktuar masa sigurie për 21 persona, mes tyre anëtarë të organizatës kriminale, një zyrtar i lartë policie, një gjyqtar në detyrë në kohën e kryerjes së aktivitetit të dyshuar kriminal, një avokat dhe dy gazetarë.

Masat e sigurisë përfshijnë “arrest me burg” për 18 persona, përfshirë ish-gjyqtarin dhe zyrtarin e lartë të policisë; “arrest në shtëpi” për një avokat; si dhe “detyrim paraqitje” për dy gazetarë.

Operacioni për ekzekutimin e masave të sigurisë po vijon dhe po mbështetet nga Europol dhe agjenci të tjera ligjzbatuese shqiptare dhe evropiane, bëri të ditur SPAK.

Postime të lidhura