zoom

Aktualitet

Hapet gara për numrin dy të BKH-së, kriteret që duhet të plotësohen

Hapet gara për numrin dy të BKH-së, kriteret që duhet të plotësohen

Byroja Kombëtare e Hetimit ka shpallur hapjen e garës për postin e Zëvendësdrejtorit, pas emërimit të Joni Ketës në krye të këtij institucioni, duke lënë vakant pozicionin e dytë drejtues.

Të drejtën për të aplikuar për këtë post e kanë vetëm hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit. Procesi i përzgjedhjes do të zhvillohet nga Drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme dhe Drejtori i BKH-së, në përputhje me procedurat ligjore në fuqi.

Për secilin kandidat do të krijohet një dosje e posaçme, e cila do të administrohet nga Drejtoria e Burimeve Njerëzore dhe Dokumentacionit. Kjo drejtori do të jetë përgjegjëse për kompletimin, verifikimin dhe përditësimin e dokumentacionit deri në përfundimin e procesit të përzgjedhjes.

Vlerësimi i kandidatëve do të bëhet mbi bazën e dokumentacionit të dorëzuar, plotësimit të kritereve ligjore, vlerësimeve të performancës nga Prokurorët e Posaçëm dhe eprorët e drejtpërdrejtë, si dhe verifikimit të të dhënave për masa eventuale disiplinore.

Kandidatët duhet të dorëzojnë një kërkesë zyrtare për aplikim, një platformë mbi kuptimin e funksionit të Zëvendësdrejtorit dhe rolin e tij në menaxhim, burime njerëzore, komunikim dhe marrëdhënie ndërinstitucionale, si dhe jetshkrimin profesional. Po ashtu, kërkohet vlerësimi i fundit nga eprori direkt, dokumentacion shtesë që provon trajnimet, kualifikimet dhe arsimimin, si dhe certifikatë që vërteton njohuritë e gjuhës angleze.

Dokumentet duhet të dorëzohen fizikisht pranë Drejtorisë së Burimeve Njerëzore në Byronë Kombëtare të Hetimit, brenda datës 22 janar 2026.

Procesi synon përzgjedhjen e një profili profesional me integritet dhe eksperiencë, në funksion të forcimit të strukturës drejtuese të BKH-së dhe rritjes së eficiencës në hetimin e veprave penale të rënda.

Dokumentet që duhen dorëzuar: 

Kandidatët që do aplikojnë për Zëvendësdrejtor në Byronë Kombëtare të Hetimit duhet të plotësojnë dhe dorëzojnë dokumentet si më poshtë:

a. Kërkesë për aplikim;

b. Një platformë mbi kuptimin e funksionit të Zëvendësdrejtorit, rolit në fushën e menaxhimit, menaxhimit të burimeve njerëzore, komunikimit, punës në grup, ndërveprimit dhe marrëdhënieve ndërinstitucionale ;

c. Jetëshkrimi ;

d. Vlerësimin e fundit nga eprori direkt;

e. Çdo dokumentacion tjetër që vërteton trajnimet, kualifikimet, arsimim shtesë, vlerësimet pozitive apo të tjera të përmendura në jetëshkrimin tuaj.

f. Certifikatë mbi njohurit e gjuhës angleze./ Zoom.al