zoom

Aktualitet

Guvernatori Sejko shpërthen kundër qeverisë. Kritika për PPP-të, taksat dhe informalitetin

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko ka komentuar sot përballë komisionit të Ekonomisë, projektbuxhetin e vitit 2024, ku ka theksuar përsëri nevojën e sinkronizimit të politikave fiskale me ato monetare.

Në fjalën e tij, Sejko përmendi shpesh ‘shqetësimin’ e tij për konsolidimin fiskal nga ana e qeverisë dhe uljen e informalitetit.
Lidhur me pritshmëritë e qeverisë për të rritur të ardhurat gjatë vitit të ardhshëm, BSH kritikoi qeverinë për nivelin e ulët të arkëtimit të të ardhurave, 25% e PBB-së.

“BSH tërheq vëmendjen e se niveli i arkëtimit të të ardhurave është më e ulëta në rajon, sa 25% e PBB-së, ndërsa rajoni 36%. Qeveria duhet të ketë një strategji që të bazohet në rritjen e grumbullimit të të ardhurave. Ne mendojmë që të ardhurat e parashikuara mund të arrihen, por duhet të ketë dhe një ulje të informalitetit”, tha Guvernatori.

Më tej, ai shtoi se qeveria duhet të rishikojë përjashtimet tatimore që përfshijnë shtresa të ndryshme apo bizneset, pasi është një politikë që ka kosto të lartë në financat e shtetit. Për këtë sugjeron ai, duhet një analizë e thelluar.
Duke folur për efektivitetin dhe fleksibilitetin e financave publike, kreu i BSH tha se për të duhet një strategji.

“Duhet të përmbushen dy strategji nga financat publike; zhvillimin afatgjatë dhe aftësinë për të reaguar gjatë ngjarjeve të papritura. Plani i investimeve (shpenzimet kapitale) duhet të jenë të njëtrajtshme gjatë vitit, në mënyrë që të mos krijojnë luhatje në tregjet financiare dhe të jenë efektive”, propozoi Sejko.

Pensionet dhe PPP-të ishin dy shqetësimet e tjera të BSH-së që Sejko i dha zë. Ai i kërkoi qeverisë reformimin e të gjithë skemës së pensioneve.

“Shqetësim është deficiti i skemës së sigurimeve, shëndetësore dhe shoqërore. Janë një gropë për buxhetin e shtetit. Arrin në 3.6% të PBB-së, ndërkohë që vendi po përballet me një sfidë serioze nga ndryshimet demografike (plakja) dhe lëvizja e lirë (emigrimi).

Rishikoni kuadrin ligjor dhe shtoni përpjekjet për të zhvilluar pensionet private”, u shpreh Guvernatori i Bankës qendrore.

Duke i cilësuar kontratat PPP, si rrezik potencial për financat e shtetit, Sejko sugjeroi që të vendosen tavane ligjore afatgjate për këto projekte, jo vetëm vjetor. Po ashtu, ai sugjeroi një kualifikim më të lartë të punonjësve që merren me këto procese.