Aplikacion
Janë zbardhur detaje nga dëshmia e 42-vjeçarit Luan Maçi, i arrestuar si autor i grabitjes me armë të një pike këmbimi valutor në zonën e “5 Majit”, brenda qendrës tregtare Concord Center në Tiranë.
Fllimisht ai ka mohuar akuzat para efektivëve të Policia e Shtetit, duke deklaruar se nuk ishte autori i grabitjes së rreth 300 mijë lekëve të reja. Megjithatë, hetimet e kryera nga efektivët e Komisariatit nr. 4 çuan në zbulimin e disa provave të rëndësishme, mes tyre rrobat e përdorura gjatë grabitjes dhe një brisk rroje të fshehur në lavatriçe.
Pas përballjes me këto prova, 42-vjeçari pranoi autorësinë e ngjarjes dhe shpjegoi arsyet që e kishin shtyrë drejt grabitjes, duke treguar edhe planin që kishte menduar më herët.
“Kisha planifikuar që grabitjen ta bëja që më përpara. Por, pas grabitje me armë të bankës në zonën e ish-Parkut u frikësova dhe mendova ta shtyja planin për më vonë. Isha i detyruar sepse kam shumë borxhe dhe kam nënën sëmurë, në gjendje shumë të rëndë”, ka deklaruar Maçi.
Sipas të njëjtave burime, menjëherë pas grabitjes ai është larguar në këmbë dhe ka hyrë në tregun e Medresesë, nga ku më pas ka dalë në pjesën e pasme përmes disa rrugicave.
Në një pusetë ai ka fshehur armën që dyshohet se përdori gjatë grabitjes, ndërsa më pas ka marrë një taksi dhe është kthyer në banesë. Për të fshehur gjurmët, Maçi ka hequr mjekrën dhe fillimisht u ka thënë policëve se ishte ngatërruar me një person tjetër.
Gjatë kontrollit atij iu gjetën vetëm 15 mijë lekë të reja, ndërsa për pjesën tjetër të parave dyshohet se janë përdorur për shlyerjen e disa borxheve, edhe pse dëshmia e tij për këtë pjesë ka rezultuar kontradiktore.