Aplikacion
Dy hajdutë, Andi Hasani, 45 vjeç, dhe Agron Goxhaj, 48 vjeç, të cilët dyshohen për vjedhje të një kasaforte me sende me vlerë në një banesë në zonën e Kinostudios, janë arrestuar nga policia.
Të njëjtët dyshohet se kanë kryer edhe vjedhje të tjera në kryeqytet dhe në Durrës.
Mësohet se ata kanë ruajtur pronarin e banesës deri sa ai ka dalë, dhe më pas kanë hyrë brenda përmes një çelësi të punuar nga Goxhaj, duke marrë kasafortën. Brenda saj ishin para, bizhuteri dhe një armë me leje. Kur kanë gjetur armën, dyshimet se pronari mund të ishte punonjës policie i kanë detyruar të kthehen për të lënë vetëm armën me kasafortën.
Sapo janë rikthyer, kanë konstatuar prezencën e policisë. Ata kanë tentuar të largohen me vrap, por janë kapur nga efektivët e Komisariatit Nr. 4.
Gjatë kontrollit në shtëpinë e Agron Goxhajt, i cili ka precedent penal dhe është arrestuar më parë për plagosje në Shkodër, u gjet një ambient i përshtatur si punishtje për falsifikim çelësash. Me të njëjtën metodë dyshohet se janë kryer edhe vjedhje të tjera në zona të ndryshme.