zoom

Lajme

Çfarë zbuloi studimi më i fundit për goditjen me shuplakë të fëmijëve

Çfarë zbuloi studimi më i fundit për goditjen me shuplakë të fëmijëve

Një studim ka zbuluar se dhunimi i fëmijëve si formë ndëshkimi mund të rezultojë në nota më të ulëta në shkollë ose të çojë në sjellje më të rrezikshme tek adoleshentët.

Studiues nga University College London (UCL) hulumtuan ndikimin që ndëshkimi fizik kishte tek 19,000 fëmijë të lindur në Mbretërinë e Bashkuar midis viteve 2000 dhe 2002 në moshat tre, pesë dhe shtatë vjeç.

Ata vunë re se shuplaka nuk sjell asnjë dobi. Kryehulumtuesja Anja Heilmann, tha se studimi zbuloi se shuplaka “nuk i ndihmon fëmijët dhe të gjitha efektet që gjetëm ishin në drejtim të një rezultati të dëmshëm”.

Studimi zbuloi gjithashtu se 14-vjeçarët që kishin përjetuar ndëshkim fizik në fëmijërinë e hershme kishin 33% më shumë gjasa të angazhoheshin në sjellje të rrezikshme, duke përfshirë edhe ngacmimin.

Studimi ishte vëzhgues, që do të thotë se studiuesit përpiluan rezultate nga pyetësorët e plotësuar nga familjet e fëmijëve që ishin ndëshkuar fizikisht.

Megjithatë, analiza e tyre nuk mundi të provonte një lidhje të drejtpërdrejtë midis goditjes me shuplakë dhe rezultateve, pasi faktorë të tjerë mund të kenë ndikuar në jetën e një fëmije gjatë periudhës së hulumtimit.

Skocia u bë pjesa e parë e Mbretërisë së Bashkuar që ndaloi ndëshkimin fizik të fëmijëve nën 16 vjeç, me një ligj që ndalonte prindërit të godisnin fëmijët e tyre, i cili u bë ligj në vitin 2020. Uellsi ndoqi shembullin në vitin 2022, por në Irlandën e Veriut dhe Angli kjo është ende e ligjshme.

Disa argumentojnë se një ndalim do t’u ofronte të rinjve mbrojtje ligjore kundër sulmeve, ndërsa të tjerë thanë se kjo mund t’i kriminalizonte prindërit.