zoom

Kosova

Gjykata Kushtetuese publikon vendimin. Çfarë iu kërkohet deputetëve të Kosovës

Gjykata Kushtetuese publikon vendimin. Çfarë iu kërkohet deputetëve të Kosovës

Gjykata Kushtetuese e Kosovës publikoi këtë të mërkurë, 8 tetor, aktgjykimin e plotë lidhur me ankesën e dorëzuar nga Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë, që ka të bëjë me konstituimin e Kuvendit.

Gjykata ka bërë të ditur në vendimin e publikuar ditë më parë se Kuvendi nuk është konstituuar dhe u ka dhënë 12 ditë afat deputetëve që ta finalizojnë procesin, prej ditës së publikimit të plotë të vendimit në faqen e saj.

Nga Kuvendi i Kosovës i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se aktgjykimi i obligon palët që brenda 48 orësh të caktojnë mbajtjen e seancës.

“Gjykata rikujton se nga dispozitat kushtetuese, të Rregullores së Kuvendit dhe praktika gjyqësore e Gjykatës nuk rezulton ndonjë obligim i deputetëve për votimin në pako të nënkryetarëve të Kuvendit, qofshin ata që propozohen nga 3 (tre) grupet më të mëdha parlamentare apo komunitetet që nuk janë shumicë. Në këtë kontekst, duke qenë se votimi në pako nuk është shprehimisht i përcaktuar në Kushtetutë, i njëjti mund të realizohet nëse ka dakordim në mes të grupeve parlamentare apo deputetëve”, është thënë në vendimin e plotë.

Gjykata ka thënë, mes tjerash, se “bazuar në praktikën parlamentare për zgjedhjen e nënkryetarëve nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë që nga viti 2011, nënkryetarët nga radhët e deputetëve të komuniteteve që nuk janë shumicë janë votuar dhe zgjedhur në pako. Kësisoj, Gjykata vlerëson që një procedurë e tillë e votimit mbetet në vullnetin e deputetëve dhe grupeve parlamentare, me kushtin që të realizohet zgjedhja e anëtarëve të Kryesisë së Kuvendit”.

Lista Serbe ishte ankuar pikërisht për këtë pikë të procedurës, duke vlerësuar se mosvotimi në pako i dy nënkryetarëve nga pakicat përbënte shkelje.

Emilija Rexhepi është zgjedhur nënkryetare e Kuvendit nga minoriteti joserb, ndërsa asnjëri deputet serb nuk i ka siguruar votat e nevojshme për pozitën e rezervuar për këtë minoritet, pavarësisht disa rundeve të votimit dhe ndryshimit të emrave të kandidatëve.

Pas pranimit të ankesës, Gjykata Kushtetuese pati vendosur një masë të përkohshme, e cila ua ka ndaluar deputetëve të ndërmarrin veprime drejt formimit të Qeverisë së re, meqë ka pasur dyshime për ndonjë shkelje kushtetuese.

Megjithatë, as në këtë aktgjykim, Kushtetuesja nuk e ka bërë të qartë se çfarë ndodh nëse nënkryetari nga radhët e komunitetit serb nuk zgjidhet me votim të hapur apo me short.

Postime të lidhura