zoom

Aktualitet

GJK i jep të drejtë Berishës: Vendimi për arrest shtëpie ishte antikushtetues

GJK i jep të drejtë Berishës: Vendimi për arrest shtëpie ishte antikushtetues

Gjykata Kushtetuese e Shqipërisë ka shpallur antikushtetuese zgjatjen e masës së sigurisë “arrest shtëpie” ndaj kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha.

Vendimi vjen pas shqyrtimit të ankimimit të paraqitur nga Berisha për tejzgjatjen e kësaj mase kufizuese. Në arsyetimin e saj, Gjykata thekson se pas shtatë muajsh nga vendosja e “arrestit në shtëpi”, gjykatat e zakonshme nuk kishin dhënë argumente konkrete për ekzistencën e rrezikut të ikjes.

Po ashtu, sipas Kushtetueses, nuk ishte paraqitur asnjë rrethanë e re që të justifikonte ashpërsimin e masës së sigurisë.

Arsyetimi i gjykatës

Fillimisht, rreziku për cenimin e provave ishte vlerësuar se përmbushej me masën më të lehtë “detyrim paraqitjeje”. Megjithatë, më pas u vendos masa më e rëndë e “arrestit në shtëpi”, pa u evidentuar ndryshime në sjelljen e kërkuesit apo rrethana të reja procedurale.

Gjykata vëren se mungesa e arsyetimit për rrezikun e ikjes dhe fakti që nevoja për sigurimin e provave ishte konsideruar më parë e përmbushur me një masë më të lehtë, e bëjnë të pajustifikuar rëndimin e masës së sigurisë.

Sipas vendimit, kjo situatë nuk garantonte një ekuilibër të drejtë mes nevojës për sigurimin e procesit penal dhe të drejtës për liri personale.

Berisha e ankimoi masën më 17 dhjetor 2025, masë e caktuar nga Gjykata e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, në kuadër të hetimeve për dosjen “Partizani”.

Mbrojtja e tij pretendoi shkelje proceduriale dhe tejkalim të afateve ligjore nga ana e kësaj gjykate.

Ish-kryeministri u lirua në nëntor 2024, pas rreth 11 muajsh në arrest shtëpie. Më 3 janar 2025, Gjykata e Posaçme e Apelit caktoi ndaj tij masën “detyrim paraqitjeje”, të cilën ai vijon ta zbatojë.

Gjykata Kushtetuese thekson në vendim se masat e sigurisë duhet të jenë proporcionale dhe të arsyetuara në çdo fazë të procedimit penal. Për rrjedhojë, zgjatja e masës ndaj Berishës u konsiderua në kundërshtim me Kushtetutën./ Zoom.al

Postime të lidhura