Aplikacion
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryeministren e Danimarkës, kryeministri Edi Rama u përball me pyetje në lidhje me raportin e OSBE/ODIHR dhe kritikat e Bashkimit Europian për zgjedhjet e fundit në Shqipëri.
I pyetur për vërejtjet që flisnin për një “fushë loje të pabarabartë” dhe për probleme me pavarësinë e medias, Rama u shpreh se këto janë pjesë e një deklarate shumë më të gjerë dhe gjithëpërfshirëse, që sipas tij në thelb përshëndet zgjedhjet.
“Ajo çfarë cituat janë pak fjali nga një deklaratë shumë më e gjatë. Zgjedhjet janë shprehja e vullnetit të popullit shqiptar 100%, jo 99. Raportet paraprake hartohen që të kontrollohen më tej dhe të ballafaqohen me prova,”- deklaroi Rama.
Duke e krahasuar procesin zgjedhor në Shqipëri me atë të Danimarkës, kreu i qeverisë pranoi se zgjedhjet shqiptare nuk janë ende në atë nivel, por theksoi se ka një përmirësim të vazhdueshëm.
“Çfarëdo që duhet të përmirësohet, do të trajtohet pa dyshim. Kështu e kemi përmirësuar procesin tonë zgjedhor, i cili është shumë më i mirë se ishte dhe në pajtim me standardet e OSBE/ODIHR për zgjedhje të lira dhe të ndershme,”- shtoi ai./ Zoom.al