zoom

Lajme

Galatasaray fiton superligën turke

Galatasaray fiton superligën turke

Galatasaray është shpallur kampion i Turqisë për herë të 26-të në histori dhe për të katërtin sezon radhazi. 

Skuadra e drejtuar nga Okan Buruk siguroi matematikisht titullin një javë para fundit të Super Ligës, pas fitores dramatike 4 me 2 ndaj Antalyaspor.

Sfida nuk ishte aspak e lehtë për kampionët. Miqtë kaluan dy herë në avantazh me golat e Dikmen, duke heshtur tifozët vendas. 

Fillimisht barazoi Lemina, ndërsa më pas protagonisti absolut ishte Victor Osimhen.

Sulmuesi nigerian realizoi nga pika e penalltisë për 2 me 2 dhe më pas shënoi edhe golin e përmbysjes, duke i dhënë Galatasarayt avantazhin vendimtar. 

Në minutën e 95-të, Ayhan vulosi rezultatin përfundimtar 4 me 2 dhe festën e titullit në Stamboll. Me këtë sukses, Galatasaray thellon diferencën historike ndaj rivalëve të mëdhenj turq. Fenerbahçe mbetet me 19 tituj kampionë, ndërsa Beşiktaş me 16.

27 vjecari, Osimhen, konfirmohet lideri i skuadrës edhe pse humbi një pjesë të sezonit për shkak dëmtimesh dhe Kupës së Afrikës. 

Ai ka realizuar 15 gola në vetëm 22 ndeshje, duke kaluar edhe shokun e skuadrës Mauro Icardi, që ka shënuar 14 gola në 30 takime.

Për Galatasarayn ky është titulli i katërt radhazi, një arritje që klubi e kishte realizuar vetëm një herë tjetër, mes viteve 1996 dhe 2000. 

Tani skuadra e Okan Buruk synon të shkruajë histori me një titull të pestë radhazi, diçka që nuk është arritur kurrë më parë në futbollin turk.

Postime të lidhura