zoom

Aktualitet

“Futen masazhatore me licencë”- Shemsi Prençi tregon prapaskenat në burgje: Pse VIP-at nuk shkojnë në Burrel? Marrin shërbime speciale

“Futen masazhatore me licencë”- Shemsi Prençi tregon prapaskenat në burgje: Pse VIP-at nuk shkojnë në Burrel? Marrin shërbime speciale

Ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit, Shemsi Prençi, ka ngritur akuza dhe dyshime mbi mënyrën se si trajtohen të burgosurit në institucionet penitenciare në Shqipëri. Ai foli për ekzistencën e një sistemi me standarde të dyfishta, ku sipas tij të burgosurit e zakonshëm përballen me mungesë kushtesh, ndërsa personat me ndikim përfitojnë privilegje dhe trajtime të veçanta.

Prençi u ndal te burgu i Burrelit, për të cilin tha se nuk ka të burgosur “VIP”, duke sugjeruar se ky institucion konsiderohet më i rreptë dhe pa hapësira për favore apo lehtësira.

“Përse kokat e organizatave kriminale nuk shkojnë në burgun e Burrelit, por shkojnë në burgun e Durrësit, atje ku u krijohet mundësia për t’u futur celularë. Avokati i Popullit nuk mund të përjashtohet nga përgjegjësia. Sistemi i burgjeve është sistemi më i ndërlikuar në Shqipëri, e lëmë për shkak të kushteve e të tjera, edhe pjesa e paraburgimit, edhe dhomat e shoqërimit në komisariat dhe drejtoria e policisë që u nis për t’u bërë në standard dhe nuk mbaroi kurrë. Edhe Tirana që e ka këtu te komisariati numër tre u nis për t’u bërë dhe s’është mbaruar akoma, domethënë ka problemet e veta pafund me ato tenderat e famshëm që arritën të bëhen deri te kangjellat e hekurit”, tha Shemsi Prençi.

Ai foli edhe për burgun e Shënkollit, të cilin e përshkroi si një institucion të degraduar dhe pa kushte minimale për trajtimin e të burgosurve.

“Burgu i Shënkollit nuk ka asnjë kusht, zero kushte për t’u trajtuar as të burgosur të shëndoshë, as të sëmurë, sepse ka mbaruar. Domethënë është i degraduar, totalisht i degraduar. Madje, në përfundim të asaj faze kur kalojnë varësitë e Ministrisë së Shëndetësisë apo varësitë e përbashkëta për të trajtuar të burgosurit e sëmurë, ndodhi një incident që iku një i burgosur. Dhe po në atë kohë trajtohej një i burgosur tjetër, në të cilin shkonin, dhe këto informacione i kam drejtpërdrejt nga ish-shefi i policisë së burgut, që e kishin detyruar të tjerët për të futur një person që përmendët ju, i cili ishte pajisur me certifikatë profesionale si femër masazhatore”, vijoi Prençi.

Sipas tij, në disa raste futen persona me profesione si masazhistë apo fizioterapistë për të ofruar shërbime të posaçme për të burgosurit VIP, duke e cilësuar këtë si një formë privilegji brenda sistemit penitenciar.

Prençi theksoi gjithashtu se Avokati i Popullit duhet të monitorojë mënyrën e trajtimit të të burgosurve dhe të garantojë standarde të barabarta për të gjithë.

“Avokati i Popullit ka të drejtë dhe detyrë të kontrollojë mënyrën e trajtimit të të burgosurve, si në rastin e ish-presidentit Ilir Meta, krahasuar me ata që bëjnë festa në burgun e Durrësit. Duhet të ketë trajtim të barabartë, sepse çdo diferencim është diskriminues. Të gjithë të burgosurve u është privuar liria për shkak të një vepre penale, por nëse përveç privimit të lirisë, një ish-president dhunohet psikologjikisht apo shantazhohet, kjo duhet të jetë në vëmendjen e Avokatit të Popullit. Kam bërë edhe pyetje publike: përse në burgun e Burrelit nuk ka asnjë të burgosur VIP, ish-ministër, ministër apo kryetar partie?”, deklaroi ish-drejtuesi i lartë i Policisë së Shtetit për News24.

Postime të lidhura