Aplikacion
Pronari i klubit ka vendosur të fshijë gjithçka dhe ta nisë nga zero: epoka e dështimit mbyllet këtu.
Nga Zoom.al
Orë dramatike dhe vendimtare për të ardhmen e Milanit. Pas asaj disfate turpëruese kundër Cagliari-t që kushtoi zyrtarisht skualifikimin nga Champions League, në shtëpinë kuqezi u shtyp butoni “reset”.
Klubi zyrtarizoi shkarkimet e para të bujshme. I pari që do të përshëndetet është CEO Giorgio Furlani, i ndjekur menjëherë nga Igli Tare, një drejtor sportiv që dështoi plotësisht në projektin e tij dhe trajneri Massimiliano Allegri, i cili e sheh karrierën në buzë të humnerës vetëm një vit pas uljes në stolin e kuqezinjve. Allegri nuk ka pranuar ta japë dorëheqjen, por kjo nuk e pengoi klubin ta largonte.
Ibra merr frenat e klubit me Cardinale-n
Në nivel drejtues ka një spastrim total të zyrave. Me largimin Furlani dhe Igli Tares, Gerry Cardinale do të marrë vetë në dorë vendimet më të rëndësishme. Në krah të tij do të jetë Zlatan Ibrahimovic, i cili fiton gjithmonë e më shumë pushtet edhe pse tifozët janë në kor kundër tij. Jashtë kësaj ere të re mbetet Adriano Galliani, ndërsa Paolo Scaroni do të merret ekskluzivisht vetëm me çështjen e stadiumit.
Cardinale ka vendosur: Në stol një trajner si Fabregas. Leao del në shitje
Po bëhen të qarta linjat e Milanit të ri. Ieja e Cardinale-s është t’i besojë një trajneri të ri me ide krejtësisht ndryshe, një profil i ngjashëm me Fabregas. Përjashtohet Antonio Conte. Sa i përket skuadrës, spastrimi nuk do të jetë aq radikal sa në sasi, por në cilësi. Pavlovic, Saelemaekers, Pulisic dhe Modric që është në skadencë kontrate, pritet të qëndrojnë. Ndërsa ylli i skuadrës, Rafa Leao, është nxjerrë zyrtarisht në shitje dhe do të largohet nga Milano.
Pyetja është kush do ta zëvendësojë Allegri-n? Ibrahimovic pëlqen Van Bommel, ndërsa qarkullon edhe emri i Vincenzo Italiano-s.
Curva Sud shpërthen: “Largohuni, të papërgjegjshëm!”
Tifozeria e organizuar “Curva Sud” ka reaguar ashpër në Instagram me një mesazh të fortë: “Të mbyllur si minjtë nëpër hotele luksoze. Largohuni që andej, të papërgjegjshëm!”
Një banderolë e rëndë me shkrimin “Cardinale Go Home, vergogna (Cardinale shko në shtëpi, turp)” është shpalosur jashtë hotelit ku po qëndron pronari i klubit. Tifozët nuk falin dhe tensioni është në kulm pas dështimit që la Milanin jashtë Champions League.
Dreka sekrete e Cardinale-s me gazetarët
Asnjë konferencë zyrtare për shtyp. Cardinale ka zgjedhur të takohet në një drekë private vetëm me disa gazetarë të përzgjedhur për të treguar versionin e tij të ngjarjeve pas katastrofës ndaj Cagliari-t. Samiti Cardinale-Ibrahimovic në qendër të Milanos.
Ndërsa zyrtarët e tjerë ishin izoluar në shtëpinë e klubit, Ibra ka takuar pronarin në një hotel në qendër të qytetit, duke projektuar lëvizjet e ardhshme pa praninë e pjesës tjetër të stafit.
Kronologjia e një dështimi: Pse Igli Tare ra nga froni?
Për Igli Taren vlen i njëjti gjykim drastik si për Massimiliano Allegri-n. Drejtori sportiv shqiptar shkarkohet menjëherë pas dështimit katastrofik për të arritur qoftë edhe objektivin minimal të sezonit. I lidhur ngushtë me teknikun toskan, ish-drejtori i Lazio-s ishte lënë në hije dhe i izoluar prej javësh nga klubi, pavarësisht daljeve të tij të kota përpara kamerave para dhe pas ndeshjeve për të mbrojtur të pambrojtshmen. Nuk është rastësi që Tare u la jashtë në samitin vendimtar të së dielës mëngjes mes Cardinale-s dhe Massimo Calvelli-t. Aventurë kuqezi për t’u harruar për drejtorin shqiptar.
ARRSH hap tenderin 5.24 milionë euro për lidhjen e Unazës Verilindore me Rrugën e Arbërit