Aplikacion
Policia e Tiranës ka arrestuar Sajmir Gjutën dhe Elvir Gjutën, të shpallur më herët në kërkim në lidhje me plagosjen me armë zjarri të një 18-vjeçareje në Sauk. Pas konsultimit me Prokurorinë, është vendosur që të dy të hetohen në gjendje të lirë.
Sajmir Gjuta, 49 vjeç, është babai i Erisjaldo Gjutës, i dashuri i 18-vjeçares, ndërsa Elvir Gjuta është kushëriri i 22-vjeçarit, i cili aktualisht ndodhet në burg për të njëjtën ngjarje.
Dy të arrestuarit akuzohen për veprat penale “Moskallëzimi i krimit” dhe “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”.
Sipas hetimeve, Elvir Gjuta ishte ndër personat që shoqëroi të plagosurën në spital së bashku me nënën e 22-vjeçarit. Në momentet e para, ata deklaruan se nuk e njihnin vajzën dhe se e kishin gjetur të shtrirë pranë rrethrrotullimit te Fakulteti i Ekonomikut.
Megjithatë, hetimet e policisë zbuluan se vendi ku ndodhi ngjarja ishte Hoteli “Gjuta”, ku dyshohet se familjarë të autorit kanë fshirë gjurmët e krimit, përfshirë edhe armën e zjarrit, e cila ende nuk është gjetur./ Zoom.al