zoom

Aktualitet

Finiq/ Gjendet i pajetë 91-vjeçari që ishte zhdukur prej dy ditësh

Finiq/ Gjendet i pajetë 91-vjeçari që ishte zhdukur prej dy ditësh

Një i moshuar 91 vjeç është gjetur i pajetë mesditën e sotme në Finiq, pasi ishte raportuar i zhdukur prej dy ditësh nga familjarë dhe banorë të zonës.

Sipas informacioneve, i moshuari jetonte i vetëm pas ndarjes nga jeta të bashkëshortes, ndërsa fëmijët e tij ndodhen prej vitesh në emigracion në Greqi. Më 9 shkurt ai ishte larguar nga banesa dhe nuk ishte kthyer më, çka ngriti menjëherë shqetësim në fshat, pasi banorët pohuan se ai nuk largohej kurrë për kohë të gjatë.

Pas sinjalizimit, u organizua një operacion kërkimor ku u përfshinë shërbimet zjarrfikëse të bashkisë Finiq, policia si dhe banorë të komunitetit. Kërkimet vijuan për dy ditë radhazi në zonat përreth.

Trupi i pajetë i 91-vjeçarit u gjet në një përrua pranë fshatit. Pas këqyrjes së vendit të ngjarjes nga ekspertët e policisë, u konstatua se në trup nuk kishte shenja dhune. Më pas, forcat zjarrfikëse bënë të mundur transportimin e trupit deri në rrugë, ku u mor nga ambulanca për procedurat përkatëse.

Burime paraprake bëjnë me dije se dyshimet e para flasin për një vdekje natyrale, megjithatë fakti që i moshuari kishte qëndruar për dy ditë jashtë në kushte të vështira mund të ketë ndikuar në përkeqësimin e gjendjes së tij shëndetësore./ Zoom.al

Postime të lidhura