Aplikacion
FIFA po përgatit ndryshime të rëndësishme në interpretimin e rregullave të lojës për Kupën e Botës 2026, me synimin për të reduktuar kaosin në zonë gjatë goditjeve standarde dhe për të rritur autoritetin e arbitrave në fushë.
Sipas mediave britanike, drejtuesit e arbitrimit po diskutojnë masa më të forta kundër mbajtjeve nga fanellat, bllokimeve dhe kontakteve të palejuara gjatë goditjeve të këndit apo goditjeve të dënimit pranë zonës.
FIFA synon që arbitrat të kenë më shumë liri për të ndëshkuar skuadrat që krijojnë rrëmujë në zonën e penalltisë, sidomos në momentet vendimtare të ndeshjeve. Kjo linjë e re arbitrazhi u është komunikuar tashmë trajnerëve të 48 kombëtareve që do të marrin pjesë në turne.
Mes ideve që po diskutohen është edhe mundësia që skuadra sulmuese të përfitojë goditje dënimi në rastet kur një goditje këndi prishet nga faulle apo mbajtje të kundërshtarëve përpara ekzekutimit të aksionit.
Megjithatë, çdo ndryshim zyrtar i rregullave duhet të miratohet nga IFAB, institucioni përgjegjës për ligjet e futbollit. Aktualisht, nuk pritet që të ketë ndryshime formale para nisjes së Botërorit, por FIFA dëshiron që arbitrat të aplikojnë një interpretim më strikt të rregullave ekzistuese.
Qëllimi kryesor është shmangia e polemikave dhe episodeve të diskutueshme gjatë fazës finale të Botërorit 2026, i cili do të jetë edhe edicioni i parë me 48 skuadra pjesëmarrëse./ Zoom.al