zoom

Lajme

Arbitri holandez humb jetën në moshën 38-vjeçare, FIFA e kishte përjashtuar nga Botërori

Arbitri holandez humb jetën në moshën 38-vjeçare, FIFA e kishte përjashtuar nga Botërori

Futbolli holandez është në zi pas ndarjes nga jeta të arbitrit ndërkombëtar Rob Dieperink, i cili u shua në moshën 38-vjeçare.

Lajmi është konfirmuar nga Federata Holandeze e Futbollit, e cila shprehu tronditjen dhe pikëllimin për humbjen e një prej gjyqtarëve më të njohur të saj.

Deri më tani nuk janë bërë të ditura shkaqet e vdekjes së Dieperink, i cili vetëm pak javë më parë ishte përjashtuar nga lista e arbitrave të Kupës së Botës 2026 pas një hetimi të zhvilluar në Mbretërinë e Bashkuar.

Arbitri ishte arrestuar në muajin prill nga Policia Metropolitane e Londrës, pas një denoncimi për një sulm seksual të dyshuar ndaj një adoleshenti në zonën e Croydonit. Megjithatë, pas përfundimit të hetimeve, autoritetet britanike njoftuan se nuk kishte prova të mjaftueshme për ngritjen e akuzave, duke mbyllur çështjen pa ndjekje penale.

Pavarësisht këtij zhvillimi, FIFA vendosi ta largojë nga lista e zyrtarëve të planifikuar për Botërorin 2026. Vetë Dieperink e konsideroi vendimin të padrejtë dhe deklaroi se kishte bashkëpunuar në çdo fazë me policinë, FIFA-n, UEFA-n dhe Federatën Holandeze të Futbollit, duke këmbëngulur se ishte akuzuar pa të drejtë.

Ngjarja që çoi në hetim kishte ndodhur në prag të një ndeshjeje të UEFA Conference League në Londër, ku arbitri ndodhej për angazhime zyrtare. Arrestimi i tij u krye në prani të kolegëve dhe zyrtarëve të UEFA-s.

Rob Dieperink nisi karrierën si arbitër profesionist në vitin 2012, ndërsa prej vitit 2017 drejtonte ndeshje në elitën e futbollit holandez, Eredivisie. Ai ishte gjithashtu pjesë e ekipit të arbitrave VAR në Kampionatin Europian 2024, ndërsa ndeshjen e fundit e gjykoi vetëm pak ditë para ndarjes nga jeta, në miqësoren mes Go Ahead Eagles dhe Apollon FC./ Zoom.al

Postime të lidhura