zoom

Blog

Fatura e shtrenjtë dhe pak e përballueshme e taksës së inflacionit në Shqipëri

Politika monetare kontraktuese (politika e tkurrjes ekonomike) është tani metoda më popullore e kontrollit të inflacionit. Qëllimi i një politike kontraktuese është të zvogëlojë ofertën e parasë brenda një ekonomie duke rritur normat e interesit. Kjo ndihmon në ngadalësimin e rritjes ekonomike duke e bërë kredinë më të shtrenjtë, gjë që redukton shpenzimet e konsumatorëve dhe të biznesit

Vendimi i fundit i Këshillit Mbikqyrës të Bankës së Shqipërisë, në fillim të Nëntorit 2023 për rritjen e vazhdueshme të normës së interesit për të luftuar inflacionin, duket se mund të jetë kura e shtrenjtë dhe e papërballueshme për tu shëruar nga taksa e inflacionit.

BSH ngriti normat e saj të interesit në nivelin më të lartë në më shumë se 10 vite këtë muaj, duke e çuar normën bazë në 3.25 përqind, më e larta që nga viti 2013 dhe me gjasa mundet të miratohet ndoshta edhe një rritje tjetër që mund të vijë muajin e ardhshëm, nisur edhe nga parashikimet e BQE për zonën e euros, me ndikim direkt në tregun monetar shqiptar.

Normat më të larta të interesit për letrat me vlerë të qeverisë ngadalësojnë gjithashtu rritjen duke nxitur bankat dhe investitorët të blejnë instrumenta financiarë me pak ose ne tregje te tjera, të cilat do tu garantojnë një normë të caktuar kthimi, në vend të investimeve më të rrezikshme të kapitalit që përfitojnë nga normat e ulëta.

Inflacioni pranohet nga të gjithë se duhet luftuar me vendosmëri, por fatura financiare për rritjen e normave të ndërmarra nga BSH nuk duket të jetë rruga më e saktë, pasi po ndikon jashtëzakonisht në koston mujore për bizneset që kanë marrë kredi në dy vitet e fundit. Një ndikim edhe më të madh ka mbi individët për tipet e ndryshme të kredive që kanë marrë në bankat tregtare.

Nuk mund të mos marrin parasysh rrezikun që rritja e vazhdueshme e normave të interesit është një kurë më e dëmshme se sëmundja.

Kush humbet nga këto vendime të Bankës së Shqipërisë?

Vazhdimi i rritjes së normave të interesit nuk na çon në drejtim të rritjes ekonomike, pasi do të frenojë konsumin e mallrave të ndryshme, do të ndikojë në koston e bizneseve dhe do të japë një tjetër valë të re rritje çmimesh duke konsideruar edhe vendimet e politikës fiskale për rritje të taksave për shumicën e profesioneve dhe aktiviteteve të lira.
Por në rastin e vendimit për rritjen e pagave të sektorit publik, si një premtim politik i qeverisë aktuale, por edhe nga rritja e detyruar e pagave të sektorit privat për arsye të ofertës së ulët në tregun e punës dhe presionit në rritje të punonjësve duket se lufta ndaj inflacionit ka hyrë në një moment paradoksi.

Kur punonjësit e sektorit publik dhe privat po marrin paga më të larta, ata do të duan të përballojnë sasinë e blerjeve për mallra dhe shërbime, gjë që rrit kërkesën, e cila më pas rrit çmimet, fakt që mund të çojë në një spirale të mundshme paga-çmim.

Ndërsa vendimi për rritjen e normës së interesit, kërkon një kohë deri 2 vite për të ndikuar në ekonomi, njëherësh ky moment duhet të ndikonte vendimmarrjen e qeverisë për të ulur shpenzimet dhe të mbledhë më mirë taksat se sa deri më tani, si një mënyrë më efikase për të ndihmuar në uljen e inflacionit.

Në këtë muaj që përkon edhe me konsultimin publik të projekt buxhetit 2024, si dhe një vullnet i qeverisë për të rritur pagat e sektorit publik duket se nuk përkon me situatën që përshkruajmë për ulje të disa shpenzimeve.

Nga ana tjetër, kostot e larta buxhetore për “bastin politik” të rindërtimit të infrastrukturës është po ashtu një shpenzim i detyruar nisur nga procesi që po financohet pothuajse nga taksat e buxhetit. Pagesa e koncesioneve, faturave të arbitrazheve ndërkombëtare dhe gjyqeve brenda vendit, faturat e shpronësimeve dhe shpenzime të lidhura me punimet infrastrukturore janë një tjetër moment që buxheti i financuar nga taksat nuk e ndihmon luftën nda j inflacionit.

Ndërkohë, duhet të zhvendosen shumë më shumë investime në parandalimin e emigracionit duke rritur shpenzimet për edukimin në të gjitha nivelet zinxhir, si dhe rritjen e mbështetjes financiare për pensionet e ulëta duke deklaruar një objektiv kombëtar për ngushtimin e diferencës mes pensioneve të larta dhe atyre të ulëta.

Edhe pse përmendëm shumë elementë për tu konsideruar, nisur nga kultura e viteve të kaluara besojmë se të gjitha shpenzimet e projekt buxhetit 2024 të propozuar nga qeveria do të miratohen për tu kryer gjatë vitit 2024.

Atëherë mbetet që së pari duhet të rishikohen nëpërmjet studimeve të thelluara:
– politika e taksimit të mirëqenies, ku brenda saj është edhe taksimi më i madh i kapitalistëve shqiptarë.
– një politikë tatimore për tatimin progresiv të tatimit të fitimit mund të rishikohet për ta shteruar si një merak për gjithë palët e interesuara dhe profesionistët e lirë.
– ndërhyrja nëpërmjet formalizimit të tregut të qerave informale, si një fokus prioritar për vitin 2024.
– shkëputja graduale e varësisë së transportit prej lëndëve djegëse duke synuar një tjetër transport edhe më pak ndotës duhet të jetë një tjetër drejtim i detyruar i varësisë së buxhetit duke dizenjuar një paketë fiskale zëvendësuese për automjetet elektrike dhe ato me hidrogjen etj.

Gjithsesi, edhe pse e lamë për në fund, theksi më i madh nevojitet te ndryshimi i administrimi fiskal duke ndryshuar drejtimin e tij. Kjo qasje duhet të tentojë të ndryshojë objektivat e administrimit tatimor, por edhe të rritë ndikimin e tij në kufizimin e evazionit tatimor dhe shpërndarjes më të mirë të barrës fiskale duke rritur gjurmimin e të ardhurave tatimore aty ku ato gjenerohen, brenda dhe jashtë vendit.

Mirëpo, nisur nga lufta e vakët ndaj informalitetit, si dhe fokusi i pakët ndaj administrimit fiskal, për arsye të drejtimit të institucioneve të rëndësishme prej modelit të kronizmit politik, duket se edhe të ardhurat do të rriten jo më shumë se parashikimi, madje me gjasa edhe më pak.
Qeveria duket se mund të ndikojë shumë pak për të ndaluar inflacionin, pasi i ka shpërdoruar mundësitë me politika që kanë tejkaluar kostot e përfitueshmërisë.

Ajo nuk ka shumë opsione edhe për të vendosur tavan të çmimeve apo të krijojë borde të reja, pasi dështimi i menaxhimit të bordeve të kaluara zbuloi performancën e ulët të institucioneve, si dhe ndikoi negativisht në konkurencën dhe lirinë në treg.

Tashmë, pas mpleksjes së gjithë këtyre elementëve duket se monopolet në treg janë forcuar edhe më shumë duke ndikuar në rritje të polarizimit ekonomik dhe nga ana tjetër, po ndikon direkt në një model të shtrembër të rishpëndarjes së burimeve në dispozicion

Por, qeveria mundet të fillojë të organizojë si një front i përbashkët duke i gjetur secilit prej pjesëtarëve të këtij fronti detyrën e tij, me synimin e luftës ndaj informalitetit, të uljes së korrupsionit dhe të ulë mundësinë për spekulime me tregun nga oligopolet duke filluar kontrolle të koordinuara dhe të gjera të çmimeve.

Përndryshe, nëse vijohet vetëm me ndjekjen e një politike monetare kufizuese pa u shoqëruar me gjithë masat e nevojshme fiskale dhe rregullatore, sipas konsultimit me ekspertizën vendase dhe organizatat e biznesit dhe sociale të ashtuquajturat ulje të buta të inflacionit do të jenë të vështira për t’u arritur në 2024.

Analizë e qendrës Altax*