zoom

Aktualitet

“Ishte studentja ime”/ Vrasja e babait në Durrës, flet pedagogia: Çfarë kemi bërë ne si shoqëri?

Kam që të premten, rreth orës 3, që në pushimin mes dy leksioneve, në telefon pashë imazhin e një vajze komplet të njohur për mua, pavarësisht se emrin për momentin nuk e kujtova.

Pyeta studentët dhe më thanë se kishte ndodhur një krim në familje, një vajzë kishte vrarë të jatin, pasi donte ta fejonte me zor (versioni i parë) dhe që vajza ishte studente e Ekonomikut. Reagimi i parë ishte tmerri, po si nje tip që në momente të vështira e mbledh veten dhe analizon faktet, direkt u kujtova se ajo ishte studentja ime që kishte bërë mësim me mua semestrin e parë.

Pastaj dalëngadalë m’u kujtua dhe emri dhe fakti që unë e kujtoja ishte sepse me mua kishte marrë 10 (e lënda ime është një lëndë e vështirë). Emocioni ishte aq i madh , saqë pavarësisht krimit të kryer, m’u aktivizua instikti i amësisë dhe prezervimit, pasi unë studentët, veçanërisht këta të vitit të parë i shoh si femijet e mi, dhe mendova se si një jetë kaq e re, një vajzë kaq e mire e urte, nga ajo që kam parë unë në raportin pedagog-student, ishte damkosur, e në fakt për mentalitetin shqiptar “kishte mbaruar”.

Natyrisht si shoqëri e etur për konsum skenaresh të tillë të kronikës së zezë, po dëgjoj shume komente. Nuk dua të paragjykoj situatën, pasi ajo është akoma nën hetim, po një fakt është qê gjithë ky skenar ka strumbullar dhunën, qoftë edhe nga njëra palë, (ndoshta situata nuk eshte siç na serviret, po dicka tjetër fshihet, po gjithsesi vrasja është dhunë).

Çfarë kemi bërë ne si shoqëri për ta parandaluar atë. Dihet se shumica e popullsise nuk ka besim në institucionet shtetërore , pasi ato me se shumti riciklojne shkresa administrative dhe pak zgjidhin situata.

Rastësisht, po të premten kunati im, qe jeton në Itali me solli një material për t’a përkthyer dhe redaktuar. Materiali ishte një fletë informuese mbi dhunën ndaj grave, llojet e saj . Në të gjendeshin gjithashtu numra unike shoqatash, në të cilët mund të drejtoheshe për të ndihmë dhe menjëherë aktivizohej dhe ofrohej një program i menjëhershëm ndihme per çdo rast. Natyrisht anonimati ishte i garantuar. Fleta informuese po përgatitej nga Bashkia dhe jepej në italisht dhe në shumë gjuhë të huaja, ndër to edhe shqip.

Direkt mendova: Po ne ku jemi në parandalimin e dhunës në përgjithësi e asaj të grave e fëmijëve në veçanti? Unë personalisht nuk i dija të gjitha rastet që konceptoheshin si raste dhune dhe që listoheshin në fletën informuese (Unë do e bashkangjis tekstin më poshtë duke shpresuar, që edhe ne vete si shoqëri të jemi me kërkues ndaj atyre që paguhen nga ne për të na ofruar këto shërbime.). Ndërkohë në trurin tim qarkullon i fiksuar imazhi i qeshur, siç po e shihni dhe në media, i një vajze të re që, sido që të jetë historia, ka përjetuar dhune dhe e e ka ushtruar atë.

Është kollaj të thuash ka ardhur fundi i botës, po mirë është të pranojme se ne të gjithë jemi përgjegjës për këtë situatë. Tani pas hekurave janë tre fëmijë, sarkazma e gjallë e indiferentizmit, dhunës dhe mungesës së institucioneve, po mbi të gjitha mungesës së humanizmit kolektiv, që sido që të ishte do të krijonte mundësi rrugedaljeje më pak ekstreme, qoftë edhe duke e shkarkuar traumën nëpërmjet artikulimit dhe jo nëpermjet realizimit të saj, vrasjes. E si gjithmonë fatkeqesisht Migjeni mbetet gjithnjë aktual: Merrini këto shtatore e hidhini para kujt, para këmbëve të shoqërisë sonë , neve të gjithëve, si simbol i gjithë atyre që përmenda më lart.

Dhuna ndaj grave është një shkelje e të drejtave të njeriut.

Shumica e rasteve të dhunës ndaj grave ndodh brenda mjedisit familjar dhe mund të çojë në izolimin e grave, paaftësinë për të punuar dhe kufizimin e aftësisë për t’u kujdesur për veten dhe fëmijët e tyre. Fëmijët që janë dëshmitarë të dhunës brenda familjes mund të vuajnë nga çrregullime emocionale dhe të sjelljes. Dhuna e ushtruar ndaj nënës ndikon negativisht edhe tek ata që bëhen dëshmitarë të pambrojtur ndaj dhunës.
Ekzistojnë forma të ndryshme të dhunës:

• Dhuna fizike, më e zakonshmja, është rasti kur dhunuesi përdor forcën e tij për të shkaktuar dëme në trupin e viktimës, p.sh. me shuplaka, grushta, shkelma.

• Dhuna seksuale është rasti, kur viktima detyrohet të kryejë marrëdhënie seksuale pa dëshirë.

• Dhuna psikologjike është rasti, kur viktima poshtërohet, denigrohet, ofendohet, nënçmohet edhe në sytë e fëmijëve dhe shoqërisë.

• Dhuna ekonomike ndodh nëpërmjet privimit ose kontrollit të pavarësisë ekonomike, për shembull duke i ndaluar viktimat të punojnë dhe duke krijuar dëme psikologjike, duke iu mohuar atyre autonominë dhe mundësinë e realizimit të vetvetes.

• Përndjekja është një lloj tjetër i dhunës ndaj gruas, që kryhet nga partneri ose ish-partneri dhe konsiston në përndjekjen në rrugë, qëndrimin poshtë shtëpisë, mesazhet telefonike të vazhdueshme dhe insistuese, bastisje në vendet ku ndodhet viktima. Shpesh këto sjellje shoqërohen me kërcënime dhe frikësime.

STOP VRASJES SË GRAVE DHE DHUNËS NDAJ TYRE:

T’I SHPËTOSH DHUNËS ËSHTË E MUNDUR.

Nëse keni nevojë për ndihmë ose jeni dëshmitar/e e dhunës ndaj gruas, mund të kontaktoni numrat e mëposhtëm:
 1522 është numri i shërbimeve/nevojave publike, aktiv 24 orë në ditë, çdo ditë të vitit dhe është i aksesueshëm në të gjithë territorin kombëtar pa pagesë, si nga telefoni fiks, ashtu edhe nga rrjeti celular.

 1522 janë operatorët profesionistë, me kompetenca specifike në luftën kundër dhunës gjinore dhe mbështetjes së grave e fëmijëve të tyre, që bëhen viktima të kwsaj dhune Ato ndihmijnw duke mbështetur shkrimin e kërkesës për ndihmë dhe duke garantuar anonimat absolut.

 377 6994263 është numri i “Shoqatës Kundër Dhunës”, D.U.N.A., aktiv për 24 orë në çdo ditë të vitit.

KUJT T’I DREJTOHENI?

Qendrës Kundër Dhunës (CAV), D.U.N.A., – Donne Unite Nell’Antiviolenza – e cila ofron informacion dhe mbështetje për gratë italiane dhe të huaja, të cilat duan të kapërcejnë çdo lloj dhune: psikologjike, fizike, seksuale, ekonomike, në familje, brenda familjes dhe jashtë saj.

Qendra Kundër Dhunës (CAV), D.U.N.A., garanton: mbrojtje, anonimat dhe konfidencialitet për të gjitha gratë, që i drejtohen.

CAV u ofron grave shërbime falas të tilla si: dëgjim, vlerësim të situatës së rrezikut, pritje, ndihmë psikologjike, këshilla ligjore, mbështetje për çdo fëmijë të rritur ose minoren, mbështetje përgjatë gjithë procesit për fitimin e pavarësisë.

Për çdo grua hartohet një program i personalizuar, mbështetjeje dhe ndihmë. CAV DUNA mund të kontaktohet edhe përmes emailit [email protected].

CAV DUNA menaxhohet nga Shoqata A.R.PA. (Shoqata për të Arritur Barazinë www.arparita.blogspot.it) dhe të gjithë profesionistët, që punojnë atje ofrojnë ekspertizë specifike në kuadrin e luftës kundër dhunës gjinore, si dhe në mbështetjen e grave dhe fëmijëve të tyre, që bëhen viktima të saj.

 112 (N.U.E.)-është numri i urgjencës specifike.

 Aplikacioni YOU POL, i krijuar nga Policia e Shtetit, është një mjet falas i disponueshëm për të gjithë, i thjeshtë dhe i sigurt, i cili mund të jetë i dobishëm për të luftuar dhunën gjinore. Ai ju lejon të dërgoni informacione/dëshmi, qoftë edhe në mënyrë anonime, të shoqëruar. /Prof. Albana Ndoja Deda/