Aplikacion
(Në foto autori i dyshuar, Emiljano Suti)
Policia ka zbardhur autorësinë e atentatit me armë zjarri të ndodhur mbrëmjen e së enjtes në Kurbin, ku mbeti i vrarë 40-vjeçari Ilir Lika, i njohur edhe me mbiemrat Gjini, Kokaj dhe Nure.
Sipas njoftimit zyrtar, si autori kryesor i dyshuar i krimit është identifikuar dhe shpallur në kërkim shtetasi Emiljano alias Artur Suti, 40 vjeç, banues në Laç, i cili rezulton me precedent të theksuar kriminal brenda dhe jashtë vendit.
Nga verifikimet e Policisë rezulton se 40-vjeçari është dënuar më parë me 5 vite burg për veprën penale “Kanosja për shkak të detyrës”, ndërsa ka edhe precedent penal për armëmbajtje pa leje. Gjithashtu, ai rezulton i arrestuar në Belgjikë për vjedhje.
Sipas të dhënave të deritanishme hetimore, autori ose autorët i kishin zënë pritë 40-vjeçarit pranë banesës së tij. Ilir Lika u qëllua me armë zjarri sapo zbriti nga automjeti për t’u futur në banesë. Edhe pse tentoi të largohej për t’i shpëtuar atentatit, ai u ndoq nga autori, i cili vijoi të qëllonte në drejtim të tij.
Burime pranë grupit hetimor bëjnë me dije se viktima është goditur nga shtatë plumba. Ai u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, por nuk mundi t’u mbijetojë plagëve të marra.
Për lokalizimin dhe arrestimin e Emiljano alias Artur Sutit, përveç strukturave të Drejtorisë Vendore të Policisë Lezhë dhe Komisariatit të Policisë Kurbin, janë angazhuar edhe efektivët e Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Shkodër. Kontrollet për kapjen e tij vijojnë intensivisht.
Ndërkohë, nën drejtimin e Prokurorisë, hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të atentatit, si dhe për identifikimin dhe ndalimin e personave të tjerë që mund të kenë marrë pjesë në këtë ngjarje.