Aplikacion
Kanë dalë detaje të reja nga atentati me armë zjarri i regjistruar mbrëmjen e së mërkurës në qytetin e Kurbinit, ku mbeti i vrarë një 40-vjeçar.
Viktima është Ilir Gjini, i njohur edhe me mbiemrat Lika, Kokaj dhe Nure. Sipas Policisë, rreth orës 22:10 ai u qëllua me armë zjarri dhe u transportua me urgjencë drejt Spitalit të Traumës, por nuk arriti t’u mbijetojë plagëve dhe ndërroi jetë gjatë rrugës.
Menjëherë pas ngjarjes, shërbimet e Policisë mbërritën në vendin e atentatit dhe nisën kontrolle intensive për identifikimin dhe kapjen e autorit ose autorëve.
Nën drejtimin e Prokurorisë është ngritur një grup i posaçëm hetimor, i cili po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, sigurimin e provave dhe identifikimin e autorëve të atentatit.

