Aplikacion
Një shtetas shqiptar, 28 vjeç, ka humbur jetën në rrethana të rënda në qytetin e Leicesterit, në Mbretërinë e Bashkuar. Autoritetet britanike kanë nisur një hetim të plotë për zbardhjen e ngjarjes, ndërsa dy persona janë marrë në pyetje nën dyshimet për përfshirje në vrasje.
Policia e Leicestershire bëri të ditur se viktima është identifikuar si Ervin Lita, i njohur edhe me emrin Ervin Axhami.
Sipas informacionit zyrtar, shërbimet e emergjencës u njoftuan rreth orës 06:58 të mëngjesit të së dielës, pasi një ekip i ambulancës së East Midlands gjeti të riun të plagosur rëndë në Compton Road, Leicester.
Pavarësisht ndërhyrjes së menjëhershme të mjekëve dhe përpjekjeve për t’i shpëtuar jetën, 28-vjeçari nuk arriti t’u mbijetojë plagëve të marra dhe u shpall i vdekur në vendngjarje.
Në kuadër të hetimeve, policia arrestoi dy persona, përkatësisht 36 dhe 27 vjeç, të dyshuar për përfshirje në vrasje. Më pas, ata u liruan me kusht, ndërsa hetimet vijojnë për të sqaruar plotësisht rrethanat dhe motivet e ngjarjes.
Autoritetet britanike nuk kanë bërë ende publike detaje të tjera mbi dinamikën e ngjarjes, ndërsa hetuesit po mbledhin prova dhe dëshmi që mund të ndihmojnë në zbardhjen e plotë të rastit./ Zoom.al