Aplikacion
Një aksident i rëndë është regjistruar pasditen e sotme në fshatin Peshtan Bregas, në Njësinë Administrative Frakull, Fier, ku një 36-vjeçar ka ndërruar jetë gjatë punës në tokën bujqësore.
Viktima, i identifikuar si Hamza Duraj, kishte dalë për të punuar me frezë në arë.
Sipas të dhënave paraprake nga policia, dyshohet se ai është rrëzuar aksidentalisht, ndërsa mjeti bujqësor ka vijuar lëvizjen, duke i shkaktuar dëmtime të rënda në trup, që rezultuan fatale.
Familjarët u alarmuan pasi i riu nuk po u përgjigjej telefonatave. Ata shkuan në parcelë dhe e gjetën të shtrirë pa shenja jete, duke njoftuar menjëherë shërbimet e emergjencës.
Në vendngjarje mbërritën forcat e policisë dhe ambulanca, e cila e transportoi trupin drejt Spitali Rajonal Fier. Mjekët konstatuan se 36-vjeçari kishte ndërruar jetë që në vendin e ngjarjes.
Trupi ndodhet në morgun e spitalit, ku pritet të kryhet ekspertiza mjeko-ligjore për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes./ Zoom.al