zoom

Aktualitet

(EMRI) Arrestohet në Greqi shqiptari i kërkuar prej vitesh për një vrasje në Fier

(EMRI) Arrestohet në Greqi shqiptari i kërkuar prej vitesh për një vrasje në Fier

Një shtetas shqiptar i shpallur në kërkim ndërkombëtar prej vitesh është arrestuar në Greqi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, ku duhet të vuajë pjesën e mbetur të një dënimi për vepra të rënda penale.

Bëhet fjalë për 58-vjeçarin Albert Kapllanaj, i cili ishte në listën e personave të kërkuar nga autoritetet shqiptare. Arrestimi u realizua në kuadër të bashkëpunimit mes strukturave ligjzbatuese të dy vendeve, gjatë operacionit policor të koduar “The Wanted”.

Sipas Policisë së Shtetit, Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier e ka dënuar Kapllanajn me 14 vite burg për veprat penale të vrasjes me dashje, vrasjes me dashje të mbetur në tentativë, si edhe mbajtjes pa leje dhe prodhimit të armëve e municioneve. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur ende për të vuajtur rreth gjashtë vite burg.

Ngjarja për të cilën ai u dënua daton në vitin 1999. Sipas dosjes hetimore, pas një konflikti për motive të çastit me tre persona, Kapllanaj dyshohet se hapi zjarr në drejtim të tyre me armë zjarri. Si pasojë e të shtënave humbi jetën shtetasi me inicialet A.F., ndërsa dy familjarë të tij mbetën të plagosur.

Autoritetet shqiptare kanë nisur procedurat për ekstradimin e 58-vjeçarit, i cili do të sillet në Shqipëri për të kryer pjesën e mbetur të dënimit të dhënë nga gjykata./ Zoom.al

Postime të lidhura