Aplikacion
Detaje të tjera kanë dalë në dritë nga bisedat mes kryebashkiakut Erion Veliaj me familjarët, përfshirë vëllanë dhe bashkëshorten, ndërsa qëndron në paraburgimin e Durrësit.
Në materialin e publikuar nga CNA.al, Veliaj përmend emrat e personave që dëshiron ta vizitojnë në qeli teksa porosit të afërmit që çdo gjë të bëhet duke informuar “Klevisin e Burgjeve”.
Mes personave që kryebashkiaku ka kërkuar janë bashkëpunëtorë, emra të medias, opozitës madje edhe përfaqësues fetarë.
“Në orën 20:08, Erion Veliaj bisedon me Ajolën, por në një moment të komunikimit të tyre, ndërhyn Arbri. Erioni i kërkon Arbrit që të flasë me Klevisin e Burgjeve, numrin e të cilit duhet ta ketë Admiri, e t’i thuhet që në takim me Erionin mund të shkojë Mero, Ylli Manjani, Mondi, Ton Gogu, Admiri, mund të shkojë në takim edhe Sara, çdokush tjetër, por thjesht t’i thuhet Klevisit dhe ai do të japë Okej. I thotë se ka porosi për të dhënë, dhe se në takim mund të shkojnë edhe përfaqësues të feve. Në komunikim, Erioni i thotë nëse po merren me ‘gjërat’ apo e kanë harruar fare. Arbri e vë në dijeni se çdo ditë po merren. Erion Veliaj i kërkon Arbrit që të merret me median, pasi duhet mbajtur ai presioni (duke nënkuptuar fushatën mediatike). Në fund të komunikimit, Erion Veliaj i kërkon që t’i dërgojë për të lexuar materialin e Ilir Yzeirit, lajme të tjera të portaleve, ato që janë pikante,”- thuhet në përgjimet e siguruara nga CNA.
Emër që bie në sy, është ai i Ylli Manjanit, një ish-ministër dhe personazh politik kontradiktor, me qëndrime të ashpra por të lëkundura sa i takon kaheve politike.
Më herët, në përgjime të tjera të bëra publike nga e njëjta media, Veliaj herë “organizonte” programacionin e disa mediave pranë të majtës e herë fliste me gjuhë kërcënuese ndaj anëtarëve të drejtësisë përfshirë edhe “kolegun”, ministrin Ulsi Manja./ Zoom.al