Aplikacion
Një ngjarje e rëndë u shënua mbrëmjen e të shtunës në Bielefeld të Gjermanisë, ku pati të shtëna me armë zjarri dhe për pasojë, humbi jetën një shqiptar.
Mediat gjermane shkruajnë se viktimë ka mbetur boksieri Besar Nimani, 38 vjeç.

Ai është ulur në një lokal në zonë së bashku me disa persona të tjerë dhe më pas, në momentin që dolën jashtë, nisën të shtënat me armë zjarri.
Sipas dëshmitarëve, u dëgjuan afro tetë të shtëna dhe një prej plumbave kapi boksierin shqiptar.

Autorët janë në arrati, ndërsa policia po heton shkaqet e ngjarjes.

Nimani, me origjinë nga Mitrovica e Kosovës, ishte shpërngulur në Bielefeld në vitin 1997. Ai ka zhvilluar 27 ndeshje profesionale boksi ku ka humbur vetëm një prej tyre. Gjatë karrierës së tij, ai ka fituar edhe një titull europian në peshën e mesme.

