zoom

In Zoom

EDITORIAL/ Greqia rrit pagën minimale, Shqipëria rrit propagandën

EDITORIAL/ Greqia rrit pagën minimale, Shqipëria rrit propagandën

Në Greqi paga minimale rritet si politikë ekonomike. Në Shqipëri rritet si propagandë politike.

Nga Redaksia e Zoom.al

Në Greqi, paga minimale po shkon drejt 950 eurove. Në Shqipëri, po shkojnë drejt 100 videove në Instagram premtimet e kryeministrit Edi Rama për ta rritur atë.

Në mbledhjen e fundit të qeverisë greke, kryeministri Kyriakos Mitsotakis njoftoi rritjen e pagës minimale nga 830 në 880 euro, me synimin që deri në fund të mandatit ajo të arrijë në 950 euro. Pa show, pa bujë, pa e kthyer në reality show politik, vendimi u konkretizua me anë të miratimit të një plani konkret. 600 mijë punonjës do të përfitojnë nga ky plan që vjen si pasojë e politikave të qeverisë greke për uljen e papunësisë dhe krijimin e vendeve të reja të punës.

Edhe në Shqipëri kryeministri Edi Rama ka kohë që ka mbushur rrjetet sociale, mediat online dhe ekranet e televizioneve me qindra premtime se paga minimale do të ndryshojë, por pa dhënë afat dhe pa bërë asgjë konkrete.

Në Greqi, qeveritë maten me shifrat reale, me mirëqenien e qytetarëve dhe me standardet e tregut europian. Në Shqipëri, qeveria e mat punën e saj me numrin e postimeve në Facebook dhe me duartrokitjet false në sallat e organizuara për propagandë.

Edi Rama nuk lë rast pa e përdorur për propaganë propagandë çdo qindarkë që i shton pagës minimale, duke e shitur si “dhuratë” nga qeveria për popullin, kur në fakt kjo është një e drejtë themelore e qytetarëve për të jetuar me dinjitet. Dhe rritjet e deritanishme, që nuk barazohen as me indeksimin që duhet të pësojë paga si pasojë e rritjes së çmimeve të produkteve jetike, janë thjesht fasadë dhe propagandë para-elektorale.

Këto thërrime nuk mbështeten mbi rritjen e produktivitetit dhe nuk garantojnë uljen e papunësisë. Aq indiferente dhe pa efekt janë këto rritje, saqë ato nuk kanë joshur për t’u kthyer në Shqipëri ndonjë ata shqiptarë që kanë ikur për shkak se nuk e kanë pasur të mundur të ndërtojnë jetën në vendin tonë. Aq bajate është bërë propaganda e qeverisë Rama saqë mjaftoi një emigrant në turin e kryeministrit në Athinë që t’i thoshte në sy se merrte 100 euro në ditë dhe nuk paguante as taksat që paguhen në Shqipëri për t’i bërë qesharakë të gjithë biznesmenët gaztorë që i ishin ftuar në panairin e punës dhe i mburreshin sikur në Shqipëri i paguanin punëtorët më shumë se 1 mijë euro në muaj.

LEXO KËTU: https://zoom.al/marr-100-euro-ne-dite-dhe-spaguaj-as-taksa-emigranti-nxjerr-bllof-ramen-ne-athine/

Sot, paga minimale në Shqipëri është 400 euro bruto, më e ulëta në rajon dhe disa herë më e ulët se në Greqi, një vend që bën pjesë në Bashkimin Europian, ku kryeministri Rama premton se do të antarësojë Shqipërinë brenda 2030. Me çfarë pagash do të bëhen shqiptarët qytetarë europianë? Me 320 euro në muaj?

Çdo rritje e vogël e pagës në Shqipëri gëlltitet nga inflacioni, rritja e çmimeve dhe taksat e larta. Varfëria vijon të qëndrojë në nivele shqetësuese. Papunësia gjithashtu. Por veç standardeve të jetesës dhe ekonomisë, dallimi mes Greqisë dhe Shqipërisë është thelbësor edhe në një tjetër aspect. Atje vendimet qeveria i merr për njerëzit, këtu i merr për klikime dhe vota për të qëndruar me çdo kusht në pushtet. Në Greqi paga minimale rritet si politikë ekonomike. Në Shqipëri rritet si propagandë politike. /Zoom.al

Postime të lidhura