Aplikacion
Trajneri i Kombëtares shqiptare, Silvinjo, u shfaq i zhgënjyer pas barazimit 1-1 në transfertë ndaj Letonisë, në kuadër të kualifikueseve për Botërorin. Tekniku brazilian kritikoi mënyrën si skuadra u paraqit në fillim të ndeshjes.
“Jam i zhgënjyer si për rezultatin, ashtu edhe për qasjen në pjesën e parë. Në 10-15 minutat e para nuk ishim fare në fushë. Ishim shumë të ngadaltë dhe nuk arritëm të depërtonim përpara. Kur ke një objektiv madhor si Botërori, duhet të futesh me mentalitet fitues,” u shpreh Silvinjo për “Supersport”.
Ai theksoi se problemi nuk qëndron te formacioni, por te mënyra si skuadra nisi ndeshjen: “Gabimi në këtë rast ka qenë qasja si u futëm në fushë. Nuk arritëm të depërtojmë përpara. Nuk mendoj se problemi është te formacioni. Në futboll mund të luash me 1 sulmues dhe të fitosh 4-0. Objektivi jonë është për të shkuar në Botëror. Duhet të sakrifikonim shumë, njësoj siç bëmë në Europian.”
Pavarësisht zhgënjimit, Silvinjo u shpreh i kënaqur me grupin e lojtarëve, por theksoi se asnjë nuk e ka vendin e garantuar: “Ky është futbolli modern, nuk ka lojtarë të paprekshëm. Ne jemi skuadër në rritje dhe kemi më shumë zgjedhje se më parë.”
I pyetur për mbështetjen e tifozëve, Silvinjo shtoi: “Shqiptarët paguajnë për të ndjekur Kombëtaren, dhe kjo është përgjegjësi për ne. Ne punojmë 10-12 orë në ditë për ta çuar këtë skuadër përpara. Duhet kohë dhe përkushtim.”