zoom

Aktualitet

“Dumani sa nuk është përleshur fizikisht me një gjyqtare”/ GJKKO hedh poshtë deklaratën e Berishës

“Dumani sa nuk është përleshur fizikisht me një gjyqtare”/ GJKKO hedh poshtë deklaratën e Berishës

Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka reaguar pas akuzave të kreut të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i cili deklaroi se kreu i SPAK, Altin Dumani, është përplasur me një gjykatëse që, sipas tij, nuk ka zbatuar urdhrat e tij.

Në një deklaratë zyrtare, Gjykata e Posaçme ka mohuar kategorikisht çdo pretendim për përplasje apo tensione me Prokurorinë e Posaçme, duke e konsideruar akuzën të pabazuar dhe spekulative.

“Gjykata e Posaçme përgënjeshtron kategorikisht çdo pretendim që aludon për përplasje apo tensione ndërinstitucionale me Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, e cila, në përputhje me rolin e saj kushtetues dhe ligjor, është palë në procesin gjyqësor dhe si e tillë, nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë kompetencë për të ndikuar në vendimmarrjen e gjykatës”, thuhet në reagimin e GJKKO.

Deklarata vjen pas një sulmi verbal të Sali Berishës ndaj Altin Dumanit, gjatë një daljeje për mediat pas zbatimit të masës “detyrim paraqitje”. Ndër të tjera, Berisha aludoi për një përplasje fizike mes Dumanit dhe një gjykatëseje

“Thuhet se këto ditë vetëm sa nuk është përleshur fizikisht me një gjykatëse që nuk i ka zbatuar urdhrat… këtu ka përçudnime, skena, akte”, u shpreh Berisha, duke e paraqitur incidentin si pjesë e një sistemi që, sipas tij, nuk garanton pavarësinë e gjyqtarëve./ Zoom.al

Postime të lidhura