Aplikacion
Një valë padish po përgatitet nga qindra biznese që janë goditur nga aksioni i fundit për lirimin e hapësirave publike, me urdhër personal të kryeministrit Edi Rama.
Në pamje të parë, nisma e Ramës mund të përshëndetet si një përpjekje për t’u kthyer qytetin qytetarëve. Por ajo që po ndodh nga ana tjetër është se qindra biznese të prekura po denoncojnë në gjykatë një realitet shumë më kompleks dhe arbitrar.
Përfaqësues të shumë lokaleve dhe restoranteve në Tiranë e qytete të tjera shkruajnë në redaksinë e Zoom.al se aksioni është antiligjor dhe se askush nga zyrtarët nuk u ka treguar një urdhër prishjeje.
“Na thanë vetëm një gjë, ka kaluar KM-ja dhe i ka pa’. Duhet të hiqen,” thotë një pronar lokali në zonën e ish-Bllokut.
“Një zyrtar i IKMT që kishte një lokal në zonën e stadiumit “Air Albania” u desh ta çonte fadromën edhe te lokali i tij, ‘për të dhënë shembullin para Edi Ramës’ edhe pse ishte shprehur që çdo gjë e kishte bërë sipas ligjit” -tregon një tjetër pronar lokali në këtë zonë.
Këta biznese thonë se e kanë ushtruar aktivitetin në përputhje me ligjin, se kanë paguar taksat, kanë marrë leje nga bashkitë, kanë bërë investime të kushtueshme në ambiente publike që shteti vetë i ka toleruar për vite me radhë dhe ka përfituar financiarisht prej tyre.
Por tani që “e ka pa’ Rama dhe nuk i kanë pëlqyer format apo ngjyrat e tendave”, investimet e tyre po shkatërrohen me fadroma, pa qartësi ligjore.
Nëse gjykatat do t’u japin të drejtë bizneseve që kanë ngritur padi, atëherë fatura e këtyre vendimeve nuk do të bjerë mbi kryeministrin apo mbi bashkitë, por mbi qytetarët dhe paratë e dëmshpërblimeve do të paguhen nga taksat tona.
Shembulli më famëkeq i arbitraritetit me të cilin vepron shteti është rasti i “Agon Channel”. Mbyllja me urdhër politik e një televizioni, sepse “nuk e donte kryeministri”, i ka kushtuar Shqipërisë 110 milionë euro dëmshpërblim për biznesmenin italian Francesco Becchetti. Pagesat nga paratë e shqiptarëve kanë nisur.
Në çdo vend normal, ndërhyrja në një pronë, qoftë edhe publike, kërkon procedurë ligjore, vendim administrativ të arsyetuar, njoftim paraprak dhe të drejtë ankimi. Ajo që po ndodh në Shqipëri është krejt e kundërta, një qeverisje me instinkt, ku fati i një biznesi, një investimi, apo një familjeje, varet nga shija estetike e kreut të qeverisë. “Ky nuk është shtet ligjor, por shtet autokratik i rrezikshëm” – thotë pronari i një biznesi të prekur nga aksioni. “Hajde investo këtu po deshe, pastaj.”
Kjo që po ndodh mund të kënaqë shumë nga qytetarët që kanë parë t’u zihen rrugë e trotuare nga biznese të ndryshme. Por i bërë në këtë mënyrë, aksioni i qeverisë duhet të na shqetësojë të gjithëve. Sepse ky nuk është një aksion thjesht kundër tavolinave në trotuare, por një mesazh që nesër qeveria mund të bëjë të njëjtën gjë në çdo sektor tjetër dhe prona e çdokujt, puna apo investimi, mund të fshihen me një urdhër verbal, nëse “nuk i pëlqen kryeministrit”. Në fund faturën e paguan taksapaguesi.
Në vend që shteti të mbajë përgjegjësi për tolerimin shumëvjeçar të ndërtimeve në hapësirat publike dhe për mungesën e zbatimit të ligjit, tani e gjithë përgjegjësia u kalon qytetarëve që s’kanë asnjë lidhje në këtë çështje konfliktuale mes qeverisë dhe bizneseve.
Dhe ndërkohë që IKMT apo policia bashkiake u vënë rruspën karrigeve e lokaleve “se i ka pa’ Rama”, ata nuk shohim kullat pa leje që ngrihen në mes të Tiranës apo betonin që po gllabëron plazhet nga Velipoja në Ksamil, sepse ato “nuk i ka pa’ KM-ja”.
Shqipëria nuk e ka luksin të paguajë edhe një faturë tjetër prej miliona eurosh për kapriçot e një pushteti që sillet si pronar absolut i çdo pëllëmbe toke dhe gjithçkaje ekziston në këtë vend. Sepse kur vendimet merren “se e ka pa’ Rama”, e jo mbi bazë të ligjit, koncepti i shtetit logjor ka marrë fund. /Zoom.al