zoom

Sport

Drejtori i Interit, Piero Ausilio: Futbolli shqiptar ka një të ardhme të ndritur, Sylvinho super

Drejtori i Interit, Piero Ausilio: Futbolli shqiptar ka një të ardhme të ndritur, Sylvinho super

Është përmbyllur me sukses kursi i radhës për Drejtor Sportiv që organizohet nga Federata Shqiptare e Futbollit. Kursi i udhëhequr nga Departamenti i Edukimit në FSHF që nisi më 13  shtator, u mbyll sot me ceremoninë e diplomimit, ku ishte i pranishëm edhe i ftuari special nga FSHF, Piero Ausilio, drejtori sportiv i Interit dhe një emër shumë i famshëm në futbollin italian.

Ausilio, zbarkoi në Tiranë në mëngjesin e kësaj të marte dhe e nisi vizitën e tij në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”, aty ku takoi trajnerin e Kombëtares Shqiptare Sylvinho, ndihmësit e tij Dorival Guidoni Junior dhe Pablo Zabaleta dhe disa nga lojtarët e Kombëtares, mes tyre edhe futbollistin e Interit, Kristjan Asllani.

Më pas Ausilio ishte i pranishëm në ceremoninë e diplomimit të drejtorve të rinj sportiv, ku ndau përpara të pranishmëve eksperiencën e tij të madhe si Drejtor Sportiv.

FSHF – “Kam gjetur një federatë shumë moderne, një federatë që po bën gjithçka për të rritur futbollin në Shqipëri. Strukturat e ndërtuara janë një dëshmi e qartë e këtij fakti, zgjedhja e një trajneri si Silvinjo dhe stafi i tij, ka qenë një futbollist shumë i rëndësishëm, ka shumë eksperiencë dhe si trajner. Unë kam pasur mundësi ta njoh nga afër kur punonte me Mançinin tek Interi, më duken të gjitha aspektet që të çojnë drejt një rritje të madhe. Shoh lëvizjen futbollistike shqiptare me një të ardhme shumë të bukur dhe jam këtu, të enjten do të shoh ndeshjen e Kombëtares dhe jam i bindur se do të jetë një eksperiencë shumë e bukur”.

 

Mesazh për drejtorët e rinj sportiv – “Mesazhi për drejtorët e rinj sportivë, ashtu siç ishte edhe për mua kur e nisa këtë udhëtim, duhet të punojnë me shumë pasion. Të bësh drejtorin sportiv është një profesion shumë i bukur, por edhe punë sakrificash, mundi, kompetenca, por në fund fare nëse dikush i ka të gjitha këto cilësi dhe këtë predispozicion edhe sukseset do të mbërrijnë”.

Tifozët – “Është krenari të shohësh gjithë këto njerëz, gjithë këtë pasion, tifozët tanë janë fantastikë, më jep forcë për të punuar dhe për t’i bërë gjërat mirë që të vendosim të gjitha dhe për të vendosur të gjitha energjitë e mundshme bashkë me stafin për të bërë më të mirën për Interin. Nuk është aspak e vështirë, por është një kënaqësi dhe një krenari”, deklaroi ndër të tjera drejtori sportiv i Interit, Piero Ausilio. /zoom.al/