Aplikacion
Dy masa të tjera sigurie “detyrim paraqitjeje” janë dhënë për dy gazetarët e njohur të kronikës Artan Hoxha dhe Elton Qyno, në banesat e të cilëve mësohet të jetë ushtruar kontroll, ndërsa u janë marrë dhe telefonat celularë. Ata u paraqitën pranë Prokurorisë së Posaçme pasdite. Të dy gazetarët nuk preferuan të jepnin shpjegime. Sikundër dhe vetë Prokuroria deklaroi se për hetimin që çoi në goditjen e sotme, do të ketë një njoftim më të detajuar në 24 orët e ardhshme.
Hetimet, mësohet se kanë zbuluar lidhje të organizatës, me personazhe të ndryshme të botës së krimit, mes të cilëve dhe Suad Çelën, një emër i njohur dhe i shpallur në kërkim edhe në kuadër të hetimeve të mëparshme të Prokurorisë së Posaçme. Të përfshirë rezultojnë dhe ish zyrtari i Policisë Dedan Gjoni, i arrestuar kohë më parë, po për lidhje me grupet kriminale, një avokate e cila ka mbrojtur në proceset gjyqësore interesat e grupit të Çelajve, si dhe një ish gjyqtare e Elbasanit, e cila ishte ndërkohë në arrest shtëpie.
Ndërkohë që policia ekzekutonte urdhërat e arrestit të Prokurorisë së Posaçme, drejtuesi i saj Altin Dumani, po fliste në një takim të organizuar nga Komiteti i Helsinkit, për goditjen që i është dhënë gjyqtarëve dhe prokurorëve të të gjitha niveleve, të dënuar kryesisht për çështje korrupsioni e mosdeklarimi pasurie. Sipas zotit Dumani, njerëzit e Drejtësisë që e kanë kaluar tanimë filtrin e Vettingut, nuk mund të konsiderohen megjithatë të imunizuar.
“Shqetësimi më i madh në vlerësimin tonë, nuk janë subjektet e shkarkuara për efekt të rivlerësimit, por ata që e kanë kaluar këtë proces dhe vazhdojnë të ushtrojnë funksionet e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Fokusi ynë është dhe kjo pjesë e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ky është dhe shqetësimi ynë më i madh, sepse aktualisht ata janë në sistem dhe ka premisa që mund të kryejnë akte korruptive. Eshtë detyra jonë si institucion që në çdo rast të ushtrojmë ndjekjen penale”, deklaroi drejtuesi i Prokurorisë së Posaçme, sipas të cilit, krahas institucioneve përgjegjëse, edhe qytetarët nevojitet të denoncojnë korrupsionin e gjyqtarëve dhe prokurorëve./VOA