zoom

Lajme

Dosja “5D”/ Qytetarët protestë para Bashkisë së Tiranës, kërkohet dorëheqja e Veliajt

Skandali me dosjen “5D” të drejtorëve të arrestuar, vartës të kryebashkiakut Erjon Veliaj, ka mbledhur sot para Bashkisë së Tiranës qytetarë dhe madje përfaqësues të shoqërisë civile dhe opozitës.

Ish-kandidati i Rithemelimit për Bashkinë e Tiranës, Belind Këlliçi, organizator i kësaj proteste që do të mbahet para Bashkisë së Tiranës, ka gjetur një simbolikë për këtë tubim, ndërsa në duar mban një mollë. Ai tha se me protesta do të largohet Veliaj nga vendi, arrestohet apo jo.

“Po presim dhe drejtuesit e mbrojtës së Teatrit. Protesta do të nisë. Qëllimi është që të ketë reagim ndaj një banditi, që çdo ditë vjedh taksat tona, për t’u pasuruar me taksat e qytetarëve dhe me banditët e tij si kompania 5D. Madje askush nuk ka marrë masa. Protestat do të kulmojnë me largimin e Veliajt nga zyra. Arrestohet apo jo, Veliaj, ne do ta nxjerrim nga zyra”, tha ai.

Protestës së sotme para Bashkisë së Tiranës, i është bashkuar dhe deputeti Flamur Noka. Ky i fundit sulmoi ashpër kryebashkiakun Erion Veliaj, duke e cilësuar atë një hajdut.

“Sot jemi në rolin e protestuesit. Kjo është një protestë e thirrur nga Aleanca për Teatrin. Këtu është simboli i babëzisë, kreu i Inceneratorit të Tiranës dhe aferës “5D”. Jemi në këtë protestë si qytetarë.

Dje publikuam foto të resorteve me leje të dhëna nga Rama dhe Veliaj. Mister Inceneratori, jep dorëheqjen!”, tha ai.

Kurse shefi i organizimit të Rithemelimit, Klevis Balliu, në deklaratën e tij përpara Bashkisë së Tiranës, ku po zhvillohet protestë kundër Veliajt, për shkak të dosjes 5D, deklaroi se Erion Veliaj është koka e organizatës që u shkatërrua nga SPAK.

Balliu theksoi policia duhet të mos merret me qytetarët, por të kapë hajdutët. “Qyteratët po vidhen. Policia mos të kapë qytetarët, por të kapë hajdutët. Veliaj është koka e organizatës 5D”, deklaroi Balliu.

Ndërsa, një qytetar deklaroi se qeveria po vjedh vendin. “Edhe në Turqi nuk u blenë votat, atje u rrëzua Erdogan. Unë kam dalë të protestojë kundër kësaj qeverie kriminale, që prish shtëpitë”, tha ai.

Ndërsa, protestuesit përpara derës të Bashkisë së Tiranës thirrën “Hajdutë”, “Poshtë korrupsioni në Bashki” etj. /ZOOM.AL/