zoom

Ide & Blog

Çfarë na tregoi korrupsioni 5D i bashkisë së Tiranës

Mali i korrupsionit i zbuluar në bashkinë e Tiranës qe prova me flagrante për të vërtetuar atë që të gjithë e shohin dhe e flasin në tavolina, punë, shtëpi e kudo: që pushtetarët e këtij institucioni po mbushin thasët me tendera e leje ndërtimi, duke vjedhur taksat e duke gjobitur rëndë biznesin.

Ky rast na tregoi se sa pa teklif vidhet, se sa hapur sajohen tenderat e firmat mbi letrat e shtetit, se si të gjithë e shohin grabitjen e parasë publike e si fatkeqësisht të gjithë janë dakord: edhe ata që nuk kanë qenë pjesë e skemës.

Por ky rast na tregoi po ashtu se në cfarë qorrsokaku e ka futur administrata e korruptuar shqiptare biznesin. Dikur drejtorët e bashkisë merrnin përqindje, pastaj e rritën përqindjen, pastaj bënë kompanitë e tyre.

Biznesi në Tiranë ka kohë që e sheh veten në reprezalje: ose duhet të falimentojnë, ose duhet të bëhen argatet e drejtorëve të korruptuar të bashkisë. Biznesi do të duhej të paguante haraçin te drejtorët e bashkisë e më pas të shkonte me burg. Ose të refuzonte dhe të falimentonte, sepse në këtë sistem, bizneset që denoncojnë refuzojën edhe nga institucionet e tjera, ku ashtu si në bashki korrupsioni është i përhapur si gangrenë, në nëpunës publikë që i shfrytëzojnë zyrat e shtetit si çifligje.

Këtë duhet ta kuptojnë prokurorët e SPAK-ut, që po godasin njësoj si zyrtarët e korruptuar ashtu edhe bizneset që këta zyrtarë i kanë shtrënguar në çdo formë për t’i bërë pjesë e skemës së tyre të përfitimit. Sepse në asnjë rast nuk mund të jenë njësoj për SPAK-un sipërmarrësit me pushtetarët që zgjidhen për të mbrojtur interesat e shtetit.

Këtë duhet ta kuptojnë edhe politikanët në parlament, që të ndryshojnë qëndrim. Sepse ky është një rast i mirë që të mos thonë broçkulla në kor.

Nëse do të vazhdojmë të kemi drejtorë që bëjnë biznes me taksat që paguajnë bizneset e qytetarët dhe që shtrëngojnë biznese e qyetarë të paguajnë taksën e korrupsionit për të marrë shërbimet që u takojnë, do të kemi padyshim sipërmarrës e qytetarë të bërë pis nga balta e korrupsionit të pushtetit.

Rasti i bashkisë së Tiranës tregoi se biznesi jo vetëm duhet ta paguajë këtë taksë korrupsioni si kusht i vetëm për të mbjijetuar, por edhe si biznesit i bëhet konkurrencë nga pushtetarët në fushën e tyre, me kompani të krijuara me paratë që u vidhen atyre dhe taksapaguesve të tjerë./ Shkruar nga Mikel Ora për Zoom.al