Aplikacion
Borusia e Dortmund rikthehet në finalen e tretë të Champions në çerekshekulli dhe të dytën në 11 vite, pas asaj të fundit të humbur ndaj Bayern Mynih.
Dhe këtë e bëri duke mundur mbrëmë po si në takimin e parë 1-0, skuadrën e sheikëve të PSG dhe talentit Kylian Mbappe, që do e shohin finalen nga divani. Gjermanët presin finalistin e dytë mes Realit dhe Bayern Mynih, teksa do pritet nëse do kemi finale gjermane përsëri dhe nëse Dortmund do arrijë mrekullinë.
67% kontrolli i topit, 31 raste, 5 gjuajtje në kuadrat, 4 shtylla, por mjafton një gol i Hummels për të nxjerr jashtë lojë PSG. Futbolli është i bukur edhe për këtë, jo gjithnjë kualifikohet ekipi favorit, jo gjithë fiton ekipi që prodhon më shumë, pikërisht kjo u vu në jetë në “Parkun e Princave”. Champions League mbetet një mallkim për Mbappe, për sheikun Al Khelafi dhe për të gjithë tifozët e PSG, “gjelat” largohet sërish nga Champions, këtë herë në fazën gjysmëfinale.

B.Dortmund realizon një kryevepër, jo vetëm që mbrojtën me fanatizëm avantazhin e sfidës së parë, por dhe në Paris ditën të vuajnë, ngacmuan PSG me disa kundërsulme, ndërsa në momentin më përcaktues të sfidës, Mats Hummels me një goditje të saktë me kokë, gjatë zhvillimeve të një goditje këndi, dërgoi topin në rrjetë duke kaluar Dortmund në avantazh.
Pas këtij momenti, PSG spostoi totalisht Dortmund në gjysmëfushë, tentuan në çdo formë të riktheheshin në lojë, por pa sukses. Zaire Emery, Mendes, Mbappe dhe Vitinha goditën 4 herë shtyllën, më pafat se kaq nuk mund të shkonte, por në fund këto janë detaje që vlejnë thjesht për statistika pasi në fund festa ishte e gjitha për tifozët verdhezi, me Dortmund që rikthehet në finalen e Champions League pas 11 vitesh, sërish në Londër, por këtë herë shpresojnë që përfundimi të jetë ndryshe, të jenë ata fitues. /ZOOM.AL/