zoom

Lajme

Terzic mes ferrit e parajsës: Tani duam Champions! Enrique-Mbappe: E pabesueshme, kështu e ka jeta

Afro një vit më parë, më saktësisht më 27 mars 2023, Edin Terzic dhe të gjithë tifozët verdhezi përjetuan një zhgënjim shumë të madh. Borusia Dortmund kishte në dorë titullin kampion, por në javën e fundit  nuk arritën të fitonin në shtëpi, duke i dorëzuar Bayern Munich titullin e 11-të në radhazi në Bundesligë.

Terzic shpërtheu në lot përpara murit të verdhë, madje u përfol për një largim, por drejtuesit e klubit besuan tek ai, një trajner i ri, por një tifoz i vjetër i këtij klubi.

Pas një viti, Terzic vë në jetë një mrekulli të vërtetë, i dhuroi ekipit të zemrës një biletë për në finalen e madhe të Champions League. Sigurisht gëzimi ishte shumë i madh, por askush në radhët e Dortmund nuk dëshiron të ndalet këtu, Terzic beson se në Londër mund të fitojnë Champions League, edhe pse i vetëdijshëm se nuk janë favorit:

“Vitin e shkuar e humbëm kampionatin vetëm në ndeshjen e fundit në shtëpi. Tani jam i lumtur që i rikthej tifozëve pak lumturi. Vetëm pas sfidës me PSV e kuptuam që mund të ishim surpriza e këtij Championsi, vetëm pas atij takimi filluam të flasim se si mund të ishte ky rrugëtim deri në Londër. Jam shumë i lumtur për këtë sukses. Nëse fiton dy ndeshje në fazën gjysmëfinale do të thotë se e meriton finalen. Po zhvillojmë një turne të jashtëzakonshëm, po shndërrojmë në realitet një ëndërr.

Kë preferoj në finale? Kushdo që do të fitojë mes tyre do të jetë favorit në Londër. Të jem i sinqertë tani dua të festoj, as që më intereson se cili do të jetë në finale. Është një krenari e madhe të luaj me skuadrën time këtë finale”, u shpreh Edin Terzic.

Të pafat, por të mposhtur në të dy sfidat. Luis Enrique e ka të vështirë të gjejë fjalët e duhura pas një eliminimi të tillë: “Është një moment shumë i trishtë, i pabesueshëm. Në dy ndeshje kemi goditur 6 herë shtyllën, 31 gjuajte në kuadrat, por sërish nuk arritëm të shënonim, kjo është një gjë me të vërtetë e pabesueshme, por ky është futbolli dhe duhet ta pranojmë. Komplimente Borusjas”, u shpreh Luis Enrique pas ndeshjes.

Thyen heshtjes edhe Kylian Mbappe, me sulmuesin francez që u përpoq të shpjegonte se çfarë i mungoi PSG: “Duhet të shënonim, na mungoi goli. Kishim shumë raste, por kur nuk je efikas bëhet e vështirë. Unë mendoj se jo çdo gjë duhet hedhur poshtë. Ky ekip dha gjithçka, u përpoq të bënte krenar tifozët, por nuk ia doli dot. Tani duhet të vazhdojmë të punojmë, pasi kemi edhe një finale për të luajtur(Kupën e Francës) A ndihem përgjegjës? Unë u përpoqa të ndihmoj skuadrën time me aq sa mundesha.

Me sa duket nuk mjaftoi. Kur flitet për efikasitet, flitet gjithnjë për mua. Unë jam ai që duhet të shënojë gol, të jem deciziv. Kur gjërat shkojnë mirë, jam unë ai që merr meritat, kur nuk funksionojnë marr vërejtjet, nuk ka asnjë problem për këtë, kështu e ka jeta”, u shpreh Mbappe.