zoom

Ide & Blog

Dorëheqja i duhet kërkuar Ardi Veliut dhe jo Bledi Çuçit

Ështe e disata herë që nga debati publik që shkaktojnë ngjarje të rënda kriminale, është përjashtuar numri 1 i policisë së shtetit, Drejtori i Përgjithshëm, Ardi Veliu.

Muaj më parë kur një efektiv policie qëlloi për vdekje të riun Klodian Rasha, nga detyra u largua ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj.

Lleshaj, ishte i fundit person që mund të ngarkohej me përgjegjësi për sjelljen kriminale të një polici në uniformë, e megjithatë, nga karrigia fluturoi ai.

Në media, përgjegjësia mbi Ardi Veliun u artikulua në mënyrë periferike.

Sot, kur nga 2 ngjarje me 8 viktima të ndodhura brenda 2 ditësh, për dorëheqjen u pyet nga gazetarët në një konferencë për shtyp ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi.

Çuçi ka pak muaj në këtë detyrë dhe ta ngarkosh atë me përgjegjësinë se përse armët janë sheshit, është e tepërt.
Kolegët gazetarë do të duhet që këtë pyetje më në fund t’ia drejtojnë Ardi Veliut: A do ta japë dorëheqjen, për shkak se policia që po drejton ka dështuar në çdo drejtim?

Pyetja e duhur në vendin e duhur do të thotë se është prekur thelbi i problemit.

Zoom.al i fton kolegët gazetarë që këtë pyetje t’ia bëjnë Ardi Veliut në çdo dalje publike, madje edhe nëpërmjet SMS -ve apo e-maileve, si një mënyrë modeste për ta vënë atë përpara përgjegjësisë që i takon të mbajë dhe për të kontribuuar në reformimin e policisë që duhet të na garantojë edhe ne sigurinë në rrugë, në punë e kudo.

Blendi Çuçit mund t’i kërkohej të jepte dorëheqjen vetëm në rast se ai nuk është i lirshëm që ta shkarkojë nga detyra drejtuesin më të paaftë të saj, numëruesin e viktimave të krimit, i cili, me qëndrimin në detyrë e cënon çdo ditë rendin dhe sigurinë në vend. /Zoom.al