Aplikacion
Pasi udhëhoqi Norvegjinë mes tetë skuadrave më të mira të Botërorit dhe eliminoi Brazilin, sulmuesi norvegjez Erling Haaland, ka pushtuar edhe rrjetet sociale me stilin e tij të pazakontë të jetesës.
Teksa publiku amerikan po zbulon yllin norvegjez, videot që po bëhen virale nuk tregojnë makina luksoze apo jahte, por një fermë ku Haaland blen qumësht të papasterizuar, zgjedh vetë mishin dhe gatuan biftekë “tomahawk”. Për 25-vjeçarin, gjithçka rrotullohet rreth një objektivi: ta mbajë trupin në gjendjen perfekte për të shënuar gola.
Rutina ushqimore e Haaland është po aq ekstreme sa edhe fiziku i tij. Sulmuesi konsumon rreth 6 mijë kalori në ditë, duke u fokusuar te ushqimet sa më natyrale dhe vendase.
Në dietën e tij nuk mungojnë qumështi i papasterizuar, mjalti i papërpunuar, peshku, biftekët “tomahawk”, vezët dhe, mbi të gjitha, të brendshmet e viçit, si zemra dhe mëlçia, të cilat i konsideron ndër ushqimet më të vlefshme për organizmin. Shumicën e produkteve i blen në një fermë në Cheshire, që është kthyer në furnizuesin e tij të përhershëm.
Ndryshe nga shumë futbollistë të tjerë, Haaland nuk e sheh të ardhmen mes vilave luksoze apo biznesit. Ai ka treguar se, pasi të mbyllë karrierën, dëshiron të jetojë në një fermë, të drejtojë një traktor dhe të kujdeset për bagëtitë.
Ky stil jetese është ndërtuar prej vitesh me ndihmën e babait të tij, Alfie Haaland, dhe një nutricionisti, të cilët kanë përgatitur një program ushqimor të personalizuar. Sulmuesi nuk përdor kuzhinier personal dhe preferon t’i përgatisë vetë vaktet, duke zgjedhur ushqime të thjeshta, por me vlera të larta ushqyese.
Në dokumentarin “Haaland: The Big Decision”, ai shpjegon se përpiqet të konsumojë ushqime sa më pak të përpunuara. Përjashtimi i vetëm janë lazanjat që i përgatit babai i tij përpara ndeshjeve në shtëpi, një ritual që nuk e ka ndryshuar prej vitesh.
Për Haaland, rikuperimi është po aq i rëndësishëm sa stërvitja. Sulmuesi e ka cilësuar gjumin si elementin më të rëndësishëm të performancës së tij.
“Për mua, ndoshta gjëja më e rëndësishme në jetë është të fle, jo vetëm shumë, por edhe mirë”, është shprehur ai.
Norvegjezi ndjek me përpikëri ritmin biologjik të trupit, del në dritën e diellit çdo mëngjes dhe përdor syze që bllokojnë dritën blu gjatë mbrëmjes për të përmirësuar cilësinë e gjumit.
Pas çdo stërvitjeje ai ndjek një program të rreptë rikuperimi që përfshin banja me akull, sauna, terapi me dritë të kuqe dhe fizioterapi, një rutinë që e ka ndihmuar të ruajë formën optimale dhe ta nisë me sukses Botërorin e parë të karrierës, ku është shndërruar në një nga protagonistët kryesorë të turneut.
Thellohet skandali i dhunës në Fier, një nga policët në lidhje me një nga vajzat e mitura