zoom

Aktualitet

DETAJE/ Vrasja e Ergys Dashit, përplasjet e karteleve në Ekuador

Ngjarjet e përgjakshme që po ndodhin në Ekuador, veçanërisht në Guayaquil, janë më se të dukshme në origjinën e tyre për shkak të mizorisë me të cilën janë kryer. Krimi i organizuar shpërndahet gjithnjë e më shumë në rrugë, siç paralajmërohen nga burgjet, pas masakrave të regjistruara vitet e fundit. Por, përballë kësaj, qytetarët ne Ekuador nuk shohin një reagim të fuqishëm që të luftojë më me ashpërsi pasigurinë që vërshon kudo.

“Nuk mund të ulesh më i qetë në një restorant, për të ngrënë diçka me familjen, sepse duhet të shohësh me kujdes kudo, plumbat vijnë në çdo kohë për të tjerët”, thotë Víctor Mendoza, shofer. Bëhet fjalë për atentatin e fundit të regjistruar në restorantin Grilling, në Avenue José Joaquín Orrantia, në veri të qytetit, vetëm dy netë më parë. I ndjeri ishte Ergys Dashi, 34-vjeçari shqiptar.

Autoritetet gjithnjë e më shumë i vënë në dukje këto krime për “luftën e territorit për shitjen e drogës”, siç përsëriti gjenerali Fausto Buenaño, komandant i Zonës 8 të Policisë (përfshirë Guayaquil, Durán dhe Samborondón), në një nga konferencat e tij të fundit për shtyp.

Por me çfarë përballet jo vetëm Policia, por edhe qyteti, një vend që ka mbetur në një udhëkryq lufte mes tre karteleve Choneros, Chone Killers, Lagartos (organizata kriminale droge të pajisura me armë lufte, me fuqi të lartë, me shtrirje të madhe territoriale gjithashtu)?

E vetmja gjë që dihet, dhe kjo nga burime jozyrtare është se Choneros (emër i marrë nga provinca ku kanë origjinën, Chone) kanë si krah të djathtë Chone Killers, të cilët i furnizojnë me armatime e vrasës me pagesë, kurse Lagartos (hardhucat) janë kundërshtarë me ta. Rrallë herë janë gjetur ngarkesa me drogë që të kenë patur logo identifikuese të këtyre grupeve. Shumë janë të mbështjella me një letër të çfarëdoshme, për të humbur gjurmë sigurisht. Megjithatë ‘të zotët’ e kanë ditur gjithmonë e kujt ka qenë ‘pakoja’ dhe nuk janë treguar të butë në raste pakujdesish e nuk kanë falur.

Mëngjesin e së premtes, 21 janar, vetëm pak orë përpara terrorit që shkaktoi vrasja e shqiptarit, ndodhën 11 vrasje në Guayaquil, 5 prej tyre në sektorin Playita del Guasmo. Gjatë bastisjeve u gjetën dy armë zjarri, një pistoletë, një revole, një armë gjahu prodhim industrial, një pushkë industriale, fishekë dhe 177 municione, 165 prej tyre të kalibrit 7.62, (domethënë nga armë të gjata). Ajo që u tha ishte se këto i përkisnin një grupi kriminal në këtë sector, ndërsa të vrarit një tjetri. Por nuk thuhen emra, ashtu sin ë rastin e Dashit.

Kujt karteli i përkiste Ergys Dashi?

Në një ndërhyrje tjetër, koloneli Washington Chugá, zëvendëskomandant i zonës 8, raportoi sekuestrimin e 27 dinamitëve. “Në kuadër të punës hetimore kuptojmë se do ta përdornin këtë për të frikësuar qytetarët dhe për të zhvatur papritur para”, tha ai.

Kush po zhvat para?

Në vitin 2020, Qendra e Armëve Guayas mori 332 armë të sekuestruara nga Policia dhe Forcat e Armatosura në provincat e Guayas, Los Ríos dhe Santa Elena. Nga këto, 244 ishin armë vdekjeprurëse dhe 88 jo-vdekjeprurëse. Po ashtu, atë vit sipas informacioneve nga institucioni janë sekuestruar 500 municione të kalibrave të ndryshëm. U theksua se më shumë se 96% e armëve të marra janë nga provinca e Guayas.

Ndërkohë në vitin 2021 deri më sot janë sekuestruar 122 armë: 98 vdekjeprurëse dhe 24 jovdekjeprurëse dhe 1377 municione. Në nëntor të vitit të kaluar, Drejtoria e Logjistikës dhe Departamenti i saj i Kontrollit të Armëve sekuestruan 4254 armë zjarri vdekjeprurëse, 606 armë zjarri jovdekjeprurëse.

Mungesa e kontrollit në rrugë i kushton punën drejtorit të policisë

Pas ngjarjeve të fundit të dhunshme të regjistruara në Guayaquil, Presidenti i Republikës, Guillermo Lasso, shpalli masa të reja më 23 janar 2022 dhe falënderoi shërbimet e gjeneralit Tannya Varela, komandantit të Policisë Kombëtare. Postin e tij e mori gjenerali Carlos Cabrera.

Pas një rrëfimi të rezultateve të arritura në luftën kundër trafikut të drogës, Lasso njoftoi inkorporimin e 1100 oficerëve të tjerë policie në Guayaquil, për të përforcuar operacionet e sigurisë, të cilat do të drejtohen nga zëvendësministri i Brendshëm, Max Campos, i cili gjithashtu koordinon dhe praninë e Forcave të Armatosura në rrugë, që prej orës 17:00 të ditës së djeshme.

Gjithashtu ka siguruar një shumë prej nëntë milionë dollarësh nga Buxheti i Përgjithshëm i Shtetit për policinë që ofron sigurinë në qytet, për investime në logjistikë. Kryebashkiakja Cynthia Viteri, e pranishme në konferencën për shtyp, shtoi se do t’i propozojë Korporatës Kombëtare të Energjisë Elektrike (CNEL) të zgjidhë mungesën e ndriçimit publik në qytet, e cila krijon pasiguri në zona të caktuara.