Aplikacion
Një ngjarje e rëndë u shënua sot në gjimnazin “Ibrahim Rugova” në Kamëz, ku disa nxënës u përfshinë në një konflikt të dhunshëm. Për pasojë, tre adoleshentë mbetën të plagosur me thikë.
Sipas burimeve, sherri mes të miturve, të moshës 15 deri në 16 vjeç, ka nisur një ditë më parë për motive banale, por u përshkallëzua këtë të martë brenda ambienteve të shkollës. Pas debatit, nxënësit dolën jashtë godinës, në një rrugicë përballë saj, ku u përleshën me grushte. Në kulmin e konfliktit, njëri prej tyre nxori një thikë dhe qëlloi tre bashkëmoshatarët.
Të plagosurit u transportuan menjëherë në spital. Dy prej tyre kanë marrë plagë të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën, ndërsa i treti, i cili ka marrë dy goditje me thikë në kraharor që i kanë prekur organet jetësore, raportohet në gjendje kritike./ Zoom.al