zoom

Aktualitet

Detaje nga ngjarja e Vlorës/ Adoleshentja qëlloi veten që të mos jetonte me babanë

Detaje nga ngjarja e Vlorës/ Adoleshentja qëlloi veten që të mos jetonte me babanë

Detaje të reja tronditëse janë zbardhur nga ngjarja e rëndë që ndodhi ditën e sotme në lagjen “Kushtrimi” të qytetit të Vlorës, ku një vajzë 17-vjeçare mbeti e plagosur rëndë si pasojë e një të shtëne me armë zjarri në banesën e saj.

Sipas burimeve, e mitura jetonte me gjyshërit, ndërsa prindërit e saj janë të divorcuar.

Konfliktet familjare dyshohet se kanë qenë shkak i drejtpërdrejtë i aktit ekstrem.

Mësohet se babai i vajzës, i cili jeton me bashkëshorten e re në një fshat pranë Vlorës, kishte kërkuar që ajo të transferohej dhe të jetonte me të.

Kjo është kundërshtuar nga vetë vajza, e cila ka përjetuar një gjendje të rënduar emocionale. Në këtë gjendje të rëndë psikologjike, dyshohet se 17-vjeçarja ka marrë një armë zjarri dhe ka tentuar vetëvrasjen, duke e qëlluar veten me pistoletë në banesën ku jetonte.

Menjëherë pas ngjarjes, adoleshentja është transportuar në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku ka mbërritur e vetëdijshme, por ka humbur ndjenjat dhe ka rënë në gjendje kome. Për shkak të plagëve të rënda në kokë, mjekët kanë vendosur ta transferojnë me urgjencë drejt Spitalit të Traumës në Tiranë.

Vajza ka dy dëmtime në zonën e kokës: një pranë syrit, afër tëmthit, dhe një tjetër në pjesën e sipërme të kafkës. Ajo ndodhet në intubim.

Ndërkohë, forca të shumta policie janë angazhuar për hetimin e plotë të ngjarjes. Babai i vajzës është shoqëruar në ambientet e Komisariatit të Vlorës për të dhënë dëshminë e tij. Sipas raportimeve, ai ka kundërshtuar fillimisht shoqërimin, duke kërkuar të shoqërojë vajzën drejt Tiranës, por është ndaluar nga forcat e rendit dhe më pas është marrë në pyetje./ Zoom.al

Postime të lidhura