zoom

Kosova

Detaje nga keqtrajtimi i 5-vjeçarit në Prishtinë/ Flasin fqinjët: Dëgjonim të qara dhe britma në mes të natës

Detaje nga keqtrajtimi i 5-vjeçarit në Prishtinë/ Flasin fqinjët: Dëgjonim të qara dhe britma në mes të natës

Një ngjarje e rëndë ka tronditur Prishtinën, ku një fëmijë 5-vjeçar është dërguar në gjendje të rëndë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës.

I mituri është paraqitur me dëmtime serioze fizike, shenja kequshqyerjeje dhe vështirësi në komunikim. Dyshimet e para të autoriteteve tregojnë se ai mund të jetë keqtrajtuar nga vetë prindërit e tij.

Sipas informacioneve jozyrtare, lëndimet në këmbë dyshohet se janë shkaktuar nga nëna, ndërsa fëmija jetonte në kushte të papërshtatshme. Për shkak të gjendjes së rënduar, mjekët kanë ndërhyrë me operacion, ndërsa aktualisht ai ndodhet në gjendje të stabilizuar.

Familjarë të afërt kanë treguar se e kanë gjetur fëmijën në gjendje të rëndë dhe fillimisht e kanë dërguar për ndihmë në qendrën shëndetësore në Lipjan, përpara se të transferohej në Prishtinë.

Për rastin janë njoftuar institucionet përkatëse, përfshirë Qendra për Punë Sociale, ndërsa policia ka ndërhyrë duke arrestuar të dy prindërit. Gjykata ka vendosur ndaj tyre masën e paraburgimit për një muaj, nën dyshimet për keqtrajtim dhe lëndim të rëndë trupor.

Çifti ka edhe gjashtë fëmijë të tjerë, për të cilët ekzistojnë dyshime se janë përballur gjithashtu me kushte të vështira dhe trajtim jo të duhur. Aktualisht, të gjithë fëmijët janë marrë në kujdes nga shteti.

Rezulton se disa vite më parë, fëmijët ishin larguar nga familja, por më pas ishin rikthyer me vendim të Gjykata Themelore e Prishtinës.

Banorë të zonës kanë deklaruar se shpeshherë kanë dëgjuar të qara dhe britma të fëmijëve gjatë natës, duke ngritur dyshime për dhunë të vazhdueshme në familje./ Zoom.al

Postime të lidhura